Gjinushi takim elektoral në Lushnjë
Ndalesa e radhës për socialdemokratin Gjinushi ishte në qytetin e Lushnjës. Në këtë takim entuziast me simpatizantë e mbështetës të PSD-së shoqërohej nga deputetët Engjëll Bejtaj, Albert Divjaka dhe Gëzim Musabelliu. PSD garanton një fitore të së majtës. "Ne garantojmë një të majtë të bashkuar, sepse nga ndarja pësuam humbje në ‘05 dhe këtë nuk do ta lejojmë në 2009", theksoi Gjinushi. Sipas tij, një e majtë e bashkuar, e mbledhur te bashkimi për ndryshim garanton një qeverisje të qëndrueshme. "Por ne jemi garantë të së majtës, që do të thotë se jemi mbrojtës të pensionistëve, që jemi mbrojtës të ish-ushtarakëve, të bujkut dhe të fshatarit që quhen fermerë, por në fakt kanë patjetër nevojë për ndihmën e shtetit", vijoi ai. Në programin elektoral të PSD, bujqësia do të synojë ritme të rritjes prej 4% çdo vit duke i vënë theksin zhvillimit të prodhimeve në serra; pemëtarisë, vreshtarisë dhe përpunimit të prodhimeve bujqësore e blegtorale. "Ashtu siç kemi përparësi patjetër arsimin, shëndetësinë, punësimin, për të cilat ne jemi të aftë që së bashku me PS të bëjmë reformat e duhura", tha ai.