E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD e Tiranës, të hënën pritet konferenca

Partia Demokratike pritet të mbledhë ditën e hënë konferencën e degës së Tiranës, për të zgjedhur kryetarin e ri. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë selisë blu, që sqarojnë se zgjedhja e kreut të ri të degës së PD-së së Tiranës do të mbyllë edhe zgjedhjet për degët. Duke treguar kështu se kjo forcë politike, e cila ndodhet në pushtet, është e gatshme të nisë zyrtarisht fushatën elektorale. Kandidaturat për kryetar të PD-së së Tiranës janë të shumta, por më favoriti duket se është zëdhënësi i grupit parlamentar të kësaj force politike, deputeti Aldo Bumçi, i cili gëzon mbështetjen e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Kryeministri deklaroi dy ditë më parë në një emision televiziv se mbështet hapur emrin e Bumçit, duke folur me superlativa. Berisha kujtoi se i kishte propozuar Bumçit të bëhej ministër, edhe pse ai nuk kishte asnjë kërkesë të tillë. "Ashtu sikurse i kërkova të largohej nga kabineti dhe nuk pati asnjë hatërmbetje", u shpreh Berisha. Pavarësisht kësaj mbështetjeje, tashmë të bërë publike nga Kryeministri për Bumçin, ky i fundit pritet të ketë përballë emra të rëndësishëm, të cilët pretendojnë që të jenë në krye të degës së Tiranës. Deputeti Besnik Mustafaj prej muajsh ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij dhe po punon për të marrë drejtimin. Lajla Përnaska është një tjetër kandidate e fortë, e cila pretendon të marrë drejtimin degës së PD-së së Tiranës, por nuk janë më pak të rëndësishëm dhe emra të tjerë si Edi Paloka dhe Gjergj Bojaxhiu. Aktualisht dega e PD-së së Tiranës drejtohet nga Sokol Olldashi, i cili që në fillim, është shprehur hapur se nuk ka ndërmend të garojë më për këtë post. Prej muajsh, PD është përfshirë në një fushatë zgjedhjesh brenda strukturave të saj, duke zgjedhur kryetarët e rinj në degët kryesore në rrethe. Shpeshherë këto zgjedhje janë shoqëruar me debate të shumta mes drejtuesve të niveleve të ndryshme brenda partive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›