Berisha premton: Do të bëjmë zgjedhje të lira
Kryeministri Sali Berisha i bëri sërish thirrje kreut të opozitës, Edi Rama, të dalë përballë tij në kandidim. Kreu i shumicës parlamentare tha se Rama nuk duhet të fshihet dhe nuk duhet të ketë frikë për të dalë në këto zgjedhje dhe për të ballafaquar veten me zgjedhjen e popullit. "I bëj thirrje Ramës të jetë në krye të listës së partisë së tij, sepse rregulli qytetar, qytetaria dhe demokracia kërkon që fushata të jetë simetrike, që të dyja palët të kenë liderët e tyre në krye dhe të dalin para qytetarëve", u shpreh ai. "I them këtu, vijoi Berisha, që mos e bëj gabimin fatal ta lësh fushën bosh, sepse do të kesh një turp jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për mbarë Evropën. Ki kurajë, merr guximin, shkëputu nga lejet e ndërtimit e dil në shesh. Dil të dalim me alternativa e t‘u themi shqiptarëve se çfarë do të bëjmë ne në 4 vitet që vijnë". Këto deklarata Berisha i bëri gjatë takimeve me banorët e fshatrave Pogdorie dhe Voskop, ku preu shiritat e përurimit të akseve rrugore rurale të këtyre zonave. Kryeministri nuk la pa akuzuar opozitën, duke thënë se nuk di të bëjë opozitë të vërtetë, por vetëm të bërtasë kundër arritjeve dhe meritave të qeverisjes aktuale. "Nuk kam parë opozitë të tillë në botë. Opozita bërtet të mos rriten rrogat e pensionet, por a ka opozitë në botë t‘i kërkojë qeverisë të mos rriten këto. I them se ne do të votojmë me karta identiteti me zgjedhje të lira, se këto zgjedhje nuk prishen se do të humbasë Edi Rama dhe do të thyhen këmbët e karriges së tij", nënvizoi mes të tjerash Berisha. Kryeministri u shpreh se Shqipëria do të bëjë zgjedhje të lira dhe kjo do t‘i sigurojë edhe një tjetër mandat qeverisës PD-së.