E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rehn: Rekomandimi për vizat, në qershor

Komisioneri evropian për Zgjerimin, Oli Rehn, është i vendosur për të paraqitur rekomandimin për liberalizimin e vizave për vendet më të përparuara të Ballkanit në fund të muajit qershor.

Me gjithë zërat se një ndër shtetet më të rëndësishme evropiane, Gjermania, insiston që komisioni ta paraqesë këtë rekomandim pas zgjedhjeve të shtatorit në këtë vend, Oli Rehn duket i vendosur në premtimin e tij, duke sfiduar vendet anëtare për çështjen e heqjes së vizave "Shengen", të paktën për vendet që i përmbushin kriteret e udhërrëfyesit.

"Po, jam i vendosur për të bërë propozimin nga fundi i muajit qershor, por kjo nuk varet vetëm nga unë, por dhe nga aktorë të tjerë, që janë vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Zhak Barro", deklaroi Rehn. Më 18 maj, komisioni do t‘u paraqesë vendeve anëtare një raport paraprak për ecurinë e shteteve të rajonit mbi kriteret e udhërrëfyesit, për të cilat do të diskutohet më 25 maj. "Unë jam i angazhuar për qëllimin që rekomandimi të bëhet në fund të muajit qershor, por pak rëndësi ka a ndryshon me një ditë apo një javë, pasi propozimet do të bëhen shpejt dhe do t‘i jepen vendeve anëtare, të cilat, para fundit të vitit, do të kenë shumë kohë për të marrë vendimin nëse vendet përmbushin realisht kriteret", pohoi Rehn.

Burime diplomatike nga vendet anëtare janë shprehur se rekomandimi për liberalizimin e vizave për grupin e parë të shteteve përfituese të rajonit ka gjasa të paraqitet në vjeshtë. Por kjo do të shtynte afatin e premtuar. "Janari 2010 është qartësisht synimi ynë dhe nëse secili kryen detyrat e veta, ky synim duhet të arrihet", theksoi Rehn. Deri më tani, vendet që do të mund të përfitojnë nga ky rekomandim janë Maqedonia, e cila i ka përmbushur kriteret sipas komisionit dhe ndoshta Mali i Zi. Franca dhe Spanja kanë kërkuar që të përfshihet në grupin e parë Serbia, duke kërcënuar se do të votonin kundër dhe për Maqedoninë, por Gjermania ka shprehur pakënaqësi nga ana tjetër për pajisjen e qytetarëve kosovarë me pasaporta serbe. Shqipëria dhe Bosnja duken ende larg procesit të liberalizimit të vizave. Vetëm në rast të shtyrjes së rekomandimit nga komisioni, ekzistojnë shanse që dhe Shqipëria të përfshihet përkrah bllokut përfitues, nëse do të përmbushte kriteret e kërkuara gjatë kësaj periudhe.

Një mision teknik me ekspertë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ishte gjatë muajit mars në Shqipëri. Ata analizuan ecurinë në fusha kyçe si siguria e dokumenteve, migracioni, menaxhimi i kufijve dhe azili, institucionet e zbatimit të ligjit, si dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këta ekspertë do të përgatisin raportin dhe do t‘i dërgojnë Komisionit Evropian konkluzionet e tyre, të cilat do të përdoren për të propozuar lëvizjen e lirë pa viza për ato vende, që i kanë përmbushur kriteret e përcaktuara më parë.

Sipas asaj çka është deklaruar nga faktorët ndërkombëtarë, për shkak të fokusimit në shpërndarjen e kartave të identitetit, Shqipëria nuk ka nisur ende prodhimin në shkallë të gjerë dhe shpërndarjen e pasaportave biometrike, kështu që do të duhet më shumë kohë në këtë fushë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›