Veliaj prezanton Hasanbegën në Përmet
Lëvizja G99 prezantoi dje në qytetin e Përmetit kandidatin për deputet të Qarkut të Gjirokastrës, Orgen Hasanbega. Erion Veliaj u kujtoi qytetarëve të Përmetit se Orgeni na bëri të gjithëve të ndihemi krenarë që jemi shqiptarë, falë këmbënguljes së tij për të ruajtur dinjitetin dhe krenarinë kombëtare. "Orgeni shkoi edhe në gjykatë vetëm sepse nuk pranonte të sillej i përulur ashtu si shumë politikanë të vjetër shqiptarë ende sillen, duke mos menduar në asnjë moment për interesat e qytetarëve të tyre", tha Veliaj gjatë prezantimit të Hasanbegës në Përmet. "Ai na tregoi edhe me vepra se nuk është aspak krim të ndihesh krenar që je shqiptar". Hasanbega u shpreh se "ka ardhur koha që dhe në politikë të na përfaqësojnë njerëz me integritet të lartë moral dhe njerëz të përgjegjshëm, të cilët mbi të gjitha mendojnë për interesat kombëtare dhe jo për interesat e vogla të xhepave të tyre". Ky prezantim u bë në kuadër të turit "Rock dhe Politikë", që Erion Veliaj dhe Alban Skënderaj ndërmorën në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë.