Meta: Do ti ndjekim me rigorozitet absolut të gjitha premtimet që kemi bërë
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka ndërmarrë një tur falenderimi për të gjithë mbështetësit të cilët i besuan votën e tyre në 23 qershor LSI-së. I shoqëruar nga deputetët, Nasip Naço dhe Gledion Rehovica, kreu i LSI-së zhvilloi një takim me mbështetësit e LSI-së në qarkun e Beratit.
Deklarata
Gjatë fjalës së tij, Meta tha se besimi të cilin qytetarët i dhanë LSI-së është një përgjegjësi e madhe për katër vitet e ardhshme. Është një besim i madh tek ne si drejtues të LSI-së, tek ju njëkohësisht si drejtues të LSI-së të Beratit për ta administruar këtë besim me përgjegjshmëri maksimale me urtësi me një devocion të përditshëm gjatë këtyre katër viteve në mënyrë, që ne të ecim më shpejt dhe të rritemi pa u ndalur si forcë politike e cila mbështet Beratin, e cila mbështet të gjithë vendin në rrugën e progresit. Jam shumë krenar që ne si LSI, jo vetëm kemi arritur një numër shumë të konsiderueshëm të deputetëve në qarkun e Beratit dhe në të gjithë vendin, por njëkohësisht ne kemi arritur një rezultat tepër pozitiv të votës popullore me 180 mijë vota në të gjithë vendin, duke dhënë një kontribut tepër të spikatur për këtë fitore kaq bindëse që realizoi koalicioni ynë, ai i Aleancës për Shqipërinë Evropiane, tha Ilir Meta. Kreu i LSI-së tha se të tjera sfida e presin këtë parti në vitet e ardhshme ndërsa e cilësoi partinë e tij si një forcë e cila i ka fituar të gjitha betejat e deritanishme. Sfida të tjera të rëndësishme na presin dhe ne tani kemi të gjithë eksperiencën e duhur dhe një besim akoma më të madh në vetvete për ti fituar të gjitha betejat e ardhshme. Ne kemi fituar një qetësi të jashtëzakonshme e cila vjen si rezultat i vizionit tonë për Shqipërinë evropiane, e cila vjen si rezultat i pjekurisë që ne kemi fituar në të gjitha betejat dhe sfidat e deritanishme që kanë qenë të jashtëzakonshme, e cila vjen si rezultat i energjive tona mjaft pozitive për të bërë më të mirën për Beratin dhe për të gjithë Shqipërinë, u shpreh Meta.
Premtimet
Duke u ndalur tek premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale për qarkun e Beratit, Meta tha se LSI do ti përmbush me përpikmëri ato. Do ti ndjekim me rigorozitet absolut të gjitha premtimet që kemi bërë këtu për realizimin e tyre, në mënyrë që të transformojmë sa më shpejt të gjithë Qarkun e Beratit dhe njëkohësisht unë ju jap fjalën se do të jemi akoma më pranë, do të jemi akoma më të lidhur me njëri tjetrin dhe pas 23 qershorit gjithmonë kam qenë krenar që edhe unë jam nga Qarku i Beratit siç jeni ju të gjithë, por pas 23 qershorit jam akoma më krenar sepse ne e mbajmë fjalën, sepse ju e mbani fjalën, përfundoi kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.