E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: Berisha mashtron duke hedhur shashkën e radhës

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit Sali Berisha lidhur me zhvillimin ekonomik të vendit, por dhe votimin elektronik në zgjedhjet e ardhshme. Sipas Ruçit, Berisha gënjen për rritjen e eksporteve dhe investimeve, në një kohë kur shqiptarët shohin çdo ditë vetëm rritjen e çmimeve. Kryeministri vjen për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik dhe jo të kontribuojë për situatën politike, - tha Ruçi, i cili pohoi se Berisha po mashtron opinionin publik, ndërkohë që nuk di saktë as numrin e familjeve shqiptare. Berisha gënjen për eksportin dhe rritjen e tij në një kohë që inflacioni ka shkuar nga 3,9 deri 4,4 për qind. Ai u premtoi shqiptarëve rimbursimin e energjisë elektrike, por u dha vetëm 140 lekë, - pohoi Ruçi. Ai tha se Kryeministri po hedh shashkat e radhës, por kurrsesi nuk mund të ketë zgjidhje të krizës për sa kohë nuk ka transparencë të zgjedhjeve. Ju kemi akuzuar ju se vodhët zgjedhjet me listat elektronike dhe kartat elektronike, tani ju ka mbetur dhe një merak, të vjedhësh dhe me votim elektronik, - tha Ruçi. Sipas tij, shqiptarët duan zgjidhjen e krizës dhe nuk është Berisha që siguron votimin elektronik apo zgjedhje të lira, por jemi të gjithë bashkë. Dhe nëse jemi bashkë, ti duhet të marrësh në konsideratë kërkesën e opozitës, transparencën e zgjedhjeve dhe më pas modalitetet e zgjedhjeve të ardhshme, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›