Rama: “Opozita është e palëkundur në kërkesën e saj”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pasi ka vizituar grevistët e shtruar në Spitalin Infektiv, deklaroi se opozita mbetet e vendosur në qëndrimin e saj për t’i shkuar deri në fund transparencës së zgjedhjeve. “Kjo betejë për transparencën, që hap rrugën e lirisë së zgjedhjeve, është një betejë që do të sjellë frytin e dëshiruar për të gjithë dhe njëkohësisht përbuzje për ata drejtues policie që dje e bënë pis uniformën e shenjtë të Policisë së Shtetit, duke ndërhyrë dhe duke krijuar situatë krejt të panevojshme në kushtet e një manifestimi simbolik dhe rezistencës paqësore”, - u shpreh Rama. Ai nënvizoi se opozita është e palëkundur, sepse kërkesa e saj nuk ka të bëjë me interesin politik të një pale në dëm të interesit politik të një pale tjetër, por ka lidhje thjesht dhe vetëm me interesin publik.
14 Maj 2010