E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Fitova 5 me 0 ndaj inskenimit dhe shantazheve të Ramës

TIRANË- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, i ftuar sot në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” komentoi vendimin më të fundit të Gjykatës së Lartë, për cështjen e video-përgjimit, ndërsa hodhi akuza se prapa saj fshihet lideri i opozitës Edi Rama. Meta tha se prokuroria qëllimisht nuk po e heton videon ku Dritan Prifti merr 70 mijë euro.

“Ekspertët amerikanë gjetën një video tjetër tek ora e atij që më përgjoi mua. Cështja e Priftit që po bëhet sikur po hetohet, ka një presion të jashtëzakonshëm që kjo gjë të mos hetohet nga prokuroria. Video ku u shfaqa unë u regjistrua për qëllime shantazhi, Prifti është një viktimë, është i përdorur në këtë proces, pas tij fshihet lideri i opozitës (Edi Rama)”,- tha Meta.

Ndërsa vendimin e Gjykatës së Lartë për pafajësinë e tij, ish kryeministri Meta e cilësoi si një “rezultat shumë të thellë, jam i kënaqur që u dha rezultat unanim, të gjithë e kemi ndjerë cfarë presioni i pandershëm është ushtruar ndaj trupit gjykues, nga përfaqësues të opozitës dhe segmente mediatike”, -nënvizoi Meta.

VIDEOJA, ASNJË HAKMARRJE NDAJ MEDIAS
Ndërkohë kreu i LSI-së deklaroi se mbetet i hapur dhe nuk ka asnjë hakmarrje ndaj medias që transmetoi video-përgjimin, pasi sipas tij materiali është përgatitur diku tjetër dhe më pas i është servirur televizionit.

“Jam i hapur, nuk kam asnjë hakmarrje ndaj medias. Une di më shumë se Filipi për këtë çështje. Ka qenë diçka e servirur, e bërë diku tjetër jo në televizion. Kreu i PS skenoi të gjithë këtë pasi u përpoq të më bënte shantazh mua, madje të më bënte edhe kryeministër. Dhe pasi kjo nuk ndodhi, zgjedhjet po afronin, vizat u hoqën dhe kjo ishte një arritje e madhe për qeverinë dhe duhet të sajohej diçka për të rrëzuar qeverinë. Nuk ia vlen të merremi më me këtë çështje pasi gjykata foli dhe foli qartë, 5 me 0.” - deklaroi Meta.
I pyetur në lidhje me mundësinë e shfaqjes së videove të reja nga ish-ministri Dritan Prifti, Meta tha se “askush nuk e ka penguar jo Priftin por askënd që të paraqesë prova nëse ka dhe të shfaqë origjinalet dhe jo montazhet. Të jeni të sigurt që ne videot origjinale pozita e përgjuesit është shumë e rëndë.”

PROKURORIA KA STANDARDE TË DYFISHTA
Ndërkohë Meta shprehu shqetësim për atë që ai e quajti standard të dyfishtë të prokurorisë dhe e cilësoi organin e drejtësisë si problemin më të madh për drejtësinë në vend.
“Më shqetëson që prokuroria ka standard të dyfishtë. Nga procesi që ka ndodhur me ne unë kam mësuar që problemi më i madh për këtë situatë që ne kemi me ligjin, luftën kundër korrupsionit është prokuroria”- vijoi më tej Meta.

Gjatë intervistës televizive, ish kryeministri Meta akuzoi prokurorinë se ka mashtruar parlamentin.
“Unë jam dënuar për tabulate, Ilir Meta ka folur me një person, si mund të jetë kjo provë? Të heqim dorë nga standartet e dyfishta. Unë prokurorisë i kam kërkuar të zbatojë vetëm ligjin. Ata i kanë zvarritur gjërat. Donin të bënin një shoë mediatik, pasi donin të më komunikonin vendimin në kohën e fushatës”, tha Meta ndërsa këshilloi se është koha që, Prokuroria duhet të tregojë integritet.

KRESHNIKU IA FUTI KOT!
Ilir Meta është pyetur edhe për deklaratat e numrit dy të KLD-së Kreshnik Spahiu, i cili kërkesën e grupit të PD-së, për ta shkarkuar nga detyra e quajti një bum për të hequr vëmendjen nga vendimi që Gjykata e Lartë do të jepte për Metën.
“Kreshniku ia futi kot se paradite më mori në telefon e më ftoi për drake”, komentoi Meta.

VOTA E BASHKËSHORTES SË FULLANIT, SI ORA E BUSHTI
Një nga anëtarët e Gjykatës së lartë që votoi në favor të Metës, ishte edhe bashkëshortja e Guvernatorit Fullani. Meta u pyet se a e ka blerë ai votën e saj me mandatin e ri të fullanit në krye të BSH-së. Kreu I LSI-së tha se “Kjo është përallë, si ora e humbur e Bushit që u përdor për të prishur imazhin e vendit”, tha Meta.

RAMA CILIMI I PËRJETSHËM
Deklaratat e Ramës me rastin 20-vjetorit të FRESSH, Meta I cilësoi të bëra nga një njeri që nuk e di se cfarë është FRESSH.

“Rama mbeti përjetësisht një cilimi i papjekur është fatkeqësi që e drejton atë parti, ai nuk e di cfarë është FRESSH-i. Ai ka inferioritet ndaj meje, s’po arrin dot të bëhet politikan serioz”, komentoi Meta.

BASHKIMI I SË MAJTËS ËSHTË SHUMË LARG
Kryeatri i LSI e përjashtoi mundësinë e bashkimit të së majtës, pasi sipas tij ka një hendek të madh moral mes tij dhe kreut të Partisë Socialiste.

“Është shumë larg për të folur për bashkim të së majtës.
E majta ka të bëjë me disa elemente njerëzore në radhë të parë me një solidaritet i cili nuk imponohet, por që është organik dhe që vjen nga liderë që në radhë të parë janë socialë. Në këto kushte më duket vërtet shumë larg kjo çështje.”- tha Meta.

PRESIDENTI TË JETË SA MË KONSENSUAL
Në lidhje me debatin për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, Meta theksoi se kreu i shtetit duhet të zgjidhet sipas Kushtetutës dhe të jetë sa më konsensual.

“Për emrin është tepër herët. Çdo forcë e koalicionit ka shumë individë të spikatur. Ne kemi marrëveshje me PD dhe do t’i përmbahemi asaj. Do pres kohën e duhur për t’u konsultuar me kolegët e mi”- u shpreh Meta, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e mbështetjes për ish-liderin e PS-së Fatos Nano.

“Nano ka vlerat dhe kontributet e tij dhe është figurë historike e PS-së. Kjo është çështje që do të diskutohet në kohën e duhur. Rëndësi ka që të zgjidhen njerëzit e duhur.” -vijoi më tej kreu i LSI-së.

REFORMA ZGJEDHORE: KORREKTIM KOMBËTAR
I pyetur për rëndësinë e reformës zgjedhore, Meta u shpreh se LSI kërkon “ “Korrektim kombëtar ose rindarje të qarqeve në mënyrë më të rregullt. PD i di qendrimet tona”, tha ai më tej.

Meta shtoi më tej se, reforma zgjedhore nuk është për partitë, por për votuesit. “Rëndësia e votës është e paparë, këtë e tregoi rezultati në Tiranë”.
(ma.ar/er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›