E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Fituam deputet në Kukës, por e humbën në Tiranë

TIRANË-Kryetari i lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta tha sot se LSI e mori deputetin në Kukës, por e humbi në Lundër, në Tiranë.

Meta foli sot nga bregdeti i Jalës, ku Lëvizja Rinore për Integrim startoi Akademinë Verore për Politikën.
Në këtë takim merrnin pjesë edhe ambasadori i BE-së, Ettore Sequi dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu.

Kreu i LSI vlerësoi pjesëmarrjen e rinisë në zgjedhjet e 23 qershorit, duke theksuar se ndryshimi erdhi falë të rinjve të cilët demonstruan si askush tjetër dëshirën për të ndryshim dhe për të ecur më shpejt.

“Jam tepër krenar për të gjithë ju dhe për të gjithë të rinjtë dhe të rejat e LRI-së në të gjithë vendin, sepse ne kemi një LRI të mrekullueshme dhe të jashtëzakonshme dhe unë si kryetari i LSI-së, por besoj se edhe të gjithë drejtuesit e tjerë të LSI-së, u janë shumë mirënjohës në radhë të parë juve dhe të gjithë bashkëmoshatarëve tuaj për atë punë, për atë angazhim dhe për atë shpirt fitoreje që keni treguar për 23 qershorin, u shpreh Kryetari i LSI-së. E kam të vështirë të falënderoj më shumë LRI-në e këtij qarku apo të atij qarku, sepse ju keni qenë të mrekullueshëm kudo në të gjithë vendin dhe ne kemi arritur të kemi një përfaqësim të shkëlqyer në nivel kombëtar. Por unë në mënyrë të veçantë do të falënderoja të rinjtë dhe të rejat e Kukësit, të Tropojës dhe të Hasit, që kanë punuar në kushtet më të vështira, që nuk ka arsye përse të përmenden këtu dhe të jeni të sigurt se ne deputetin e morem në Kukës, por e humbën në Lundër. Por nuk ka problem se kemi mjaft deputetë dhe kjo nuk do ta pengojë që t’i përfaqësojmë të gjithë ata votues të shumtë në Qarkun e Kukësit me shumë dinjitet t’i përkrahim në mënyrë të jashtëzakonshme”, – theksoi Meta.

Z. Meta shprehu bindjen se fitorja e LSI-së është kontributi më i mirë që jepet në mënyrë që vendi të ecë më shpejt për të forcuar stabilitetin, por edhe për të ecur në rrugën e ndryshimit.

Lideri i LSI-së tha më tej se është krenar që vetë rritja e LSI-së ka të bëjë me vetë rritjen dhe fuqizimin e LRI-së dhe kështu do të vazhdojë i gjithë ky proces, ashtu sikurse është shprehur krenar që LSI-ja do të ketë ministren më të re në qeverinë e re.

Ai tha se ndryshimi do të ndodhë duke punuar të gjithë çdo ditë jo vetëm për përgjegjësitë që ne do të kemi në qeverisjen e vendit, por edhe në angazhimin tonë si LSI për të mbajtur premtimet tona dhe për të ruajtur dhe zgjeruar lidhjet me anëtarë dhe simpatizantët tanë në të gjithë vendin dhe për të reflektuar problemet dhe shqetësimet e tyre në qeverisjen e vendit.

Si Kryetari i Kuvendit, Meta u zotua se do të sjellë në një frymë pozitive dhe bashkëpunimi larg konflikteve dhe provokimeve.

“Unë shpresoj të zgjidhem Kryetar i Kuvendit të ri dhe të përpiqemi bashkë edhe me Kejdin si deputeten më të re dhe me shumë të tjerë të sjellim një frymë pozitive, një frymë bashkëpunimi larg atyre konflikteve sistematike, larg atij protagonizmi arkaik, që ndërtohet vetëm mbi tensionin dhe provokimin e palës tjetër. Unë jam i bindur se kjo frymë pozitive që ne kemi sjellë dhe do ta shtojmë më tej do të reflektojë edhe në të gjithë politikën shqiptare dhe kjo falë jush, falë të rinjve dhe të rejave. Jam i bindur se në këtë mënyrë ne do të vazhdojmë të sjellim risi, do të vazhdojmë të sjellim ndryshime të rëndësishme”, theksoi z. Meta.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera ‘Akademia Verore e LRI për Politikën’, Arvizu e Sequi e përshëndesin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›