E Diel, 1 Nëntor 2026

‘Akademinë Verore për Politikën’, Meta: LRI jeni shembull. Arvizu: Performancë impresionuese në zgjedhje

JALË- Lëvizja Rinore për Integrim startoi sot ‘Akademinë Verore për Politikën’ në Jalë. Të pranishëm në aktivitetin e rastit ishin kreu i LSI-së Ilir Meta, si dhe ambasadori i SHBA-së në vendin tonë Aleksandër Arvizu dhe kreu i prezencës së BE-së Ettore Sequi.

Qindra të rinj e të reja nga e gjithë Shqipëria, anëtarë dhe simpatizantë të forumit rinor të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë zbarkuar tashmë në këtë kamp rinor ku aktivitetet politike, kulturore dhe argëtuese janë të gërshetuara mjaft mirë dhe do të jenë në fokusin e 6 ditëve të ardhshme të qëndrimit në bregdetin përrallor jonian. I pranishëm në këtë kamping do të jetë edhe Lideri i LSI-së, z. Ilir Meta.

Nuk bëhet fjalë thjesht për disa ditë pushime në fakt, pasi drejtuesit e LRI-së kanë përpiluar një program tejet të detajuar dhe të mbushur me aktivitete të ndryshme si seminare, trajnime, debate e ku do të marrin pjesë emrat më të spikatur në nivele drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Madje, të pranishëm në këtë kamping ishte i pranishwm edhe Ambasadori e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, z. Alexander Arvizu si edhe ai i Bashkimit Evropian, z. Ettore Sequi. Sigurisht, axhenda është ndërtuar në një mënyrë të tillë që të rinjtë të kenë edhe hapësira për t’u argëtuar mes njërit aktivitet dhe tjetrit.

Në ceremoninë hapëse të këtij aktiviteti ka marrë fjalën edhe Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta i cili ka shprehur kënaqësinë që merr pjesë në kampingut e pestë të LRI-së në Jalë. Ai tha se ndryshe nga vitet e tjera ka një atmosferë edhe më pozitive dhe më optimiste që vjen pas një ndryshimi të rëndësishëm, që ka ndodhur në Shqipëri më 23 qershor në të gjithë vendin dhe kjo sipas tij falë të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, të cilët demonstruan si askush tjetër dëshirën për të ndryshim dhe për të ecur më shpejt.

“Jam tepër krenar për të gjithë ju dhe për të gjithë të rinjtë dhe të rejat e LRI-së në të gjithë vendin, sepse ne kemi një LRI të mrekullueshme dhe të jashtëzakonshme dhe unë si kryetari i LSI-së, por besoj se edhe të gjithë drejtuesit e tjerë të LSI-së, u janë shumë mirënjohës në radhë të parë juve dhe të gjithë bashkëmoshatarëve tuaj për atë punë, për atë angazhim dhe për atë shpirt fitoreje që keni treguar për 23 qershorin, u shpreh Kryetari i LSI-së. E kam të vështirë të falënderoj më shumë LRI-në e këtij qarku apo të atij qarku, sepse ju keni qenë të mrekullueshëm kudo në të gjithë vendin dhe ne kemi arritur të kemi një përfaqësim të shkëlqyer në nivel kombëtar. Por unë në mënyrë të veçantë do të falënderoja të rinjtë dhe të rejat e Kukësit, të Tropojës dhe të Hasit, që kanë punuar në kushtet më të vështira, që nuk ka arsye përse të përmenden këtu dhe të jeni të sigurt se ne deputetin e morëm në Kukës, por e humbëm në Lundër. Por nuk ka problem se kemi mjaft deputetë dhe kjo nuk do ta pengojë që t’i përfaqësojmë të gjithë ata votues të shumtë në Qarkun e Kukësit me shumë dinjitet t’i përkrahim në mënyrë të jashtëzakonshme”, vijoi ai.

Z. Meta shprehu bindjen se fitorja e LSI-së është kontributi më i mirë që jepet në mënyrë që vendi të ecë më shpejt për të forcuar stabilitetin, por edhe për të ecur në rrugën e ndryshimit.   

Lideri i LSI-së tha më tej se është krenar që vetë rritja e LSI-së ka të bëjë me vetë rritjen dhe fuqizimin e LRI-së dhe kështu do të vazhdojë i gjithë ky proces, ashtu sikurse është shprehur krenar që LSI-ja do të ketë ministren më të re në qeverinë e re.

Ai tha se ndryshimi do të ndodhë duke punuar të gjithë çdo ditë jo vetëm për përgjegjësitë që ne do të kemi në qeverisjen e vendit, por edhe në angazhimin tonë si LSI për të mbajtur premtimet tona dhe për të ruajtur dhe zgjeruar lidhjet me anëtarë dhe simpatizantët tanë në të gjithë vendin dhe për të reflektuar problemet dhe shqetësimet e tyre në qeverisjen e vendit.

Si Kryetari i Kuvendit, Meta u zotua se do të sjellë në një frymë pozitive dhe bashkëpunimi larg konflikteve dhe provokimeve.

I pranishëm Ambasadori i SHBA-së, Alexander Arvizu, ka përshëndetur të rinjtë e LRI-së dhe i ka përgëzuar për punën e mirë që kanë bërë në zgjedhjet e 23 qershorit.

"Dua t’ju përgëzoj të gjithëve për një performancë të jashtëzakonshme gjatë zgjedhjeve. Dhe duket qartë se çfarë organizimi është dashur për të krijuar këtë natë sot. Ky është një shembull shumë i mirë i dedikimit dhe i punës së palodhur që keni bërë ju të gjithë gjatë kësaj fushate', u shpreh ai.

Diplomati amerikan tha se "është një festë e madhe, ka arsye për të festuar, por është gjithashtu një detyrë e madhe. Dhe në qoftë se ju i përgjigjeni sfidave që ka vendi me të njëjtin pozitivitet, me të njëjtin seriozitet atëherë ju do të keni sukses".

Edhe Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, dha një mesazh për të rinjtë e të rejat e LRI-së, ku shprehu besimin se me energjinë e treguar, të rinjtë dhe të rejat do të jenë në gjendje që të kontribuojnë për ndërtimin e një Evrope më të mirë.

"Integrimi në Evropë ka të bëjë shumë me transformimin. Kam shumë shpresë dhe besim që me këtë energji që ne shohim, ju do të jeni në gjendje që të kontribuoni për ndërtimin e një Evrope më të mirë. Mua më pëlqejnë shumë të rinjtë shqiptarë për këtë energji që ata zotërojnë. Jam plotësisht i bindur se Evropa ka nevojë për një injeksion të kësaj energjie pozitive. Jam i sigurt që ju do të jeni një kontribut i madh në këtë drejtim sepse ne kemi nevojë për energjinë tuaj', deklaroi diplomati i BE-së.

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›