Meta: Fuqizimi i LSI-së, kontribut për shtensionimin e një polarizimi ekstrem

Takim me strukturat e LSI-së në Vlorë - prezantohet Sekretari i ri Politik, Kasem Cenaj
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi një takim në qytetin e Vlorës më strukturat e LSI-së, në cilën u prezantua edhe sekretari i ri Politik i LSI-ë për Qarkun e Vlorës, Kasem Cenaj, i cili u emërua në mbledhjen e fundit të Kryesisë së LSI-së. Në fjalën e tij para të pranishmëve Lideri i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi se fuqizimi i LSI-së është me shumë rëndësi për të ndihmuar vendin, jo thjesht LSI-në, anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e LSI-së sepse ndihmon për normalizimin e politikës shqiptare, për shtensionimin e një polarizimi ekstrem që vihet re dhe që thellohet çdo ditë që i afrohemi fushatës elektorale. “Ky është një vit shumë i rëndësishëm për të gjithë ne. Është një vit i rëndësishëm për vendin dhe natyrisht se duke pasur në konsideratë se është edhe vit elektoral, ku do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në 23 qershor. Unë kam shumë besim se ne të gjithë bashkë do të kontribuojmë që 23 qershori të jetë një moment i rëndësishëm për të ardhmen e vendit, për fuqizimin e stabilitetit të tij por njëkohësisht edhe për të reflektuar në qeverisjen e ardhshme të gjithë ato shqetësime që kanë qytetarët e Vlorës dhe të mbarë vendit dhe mbi të gjitha për të hedhur një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit europian, hap që mungoi gjatë vitit të kaluar”, deklaroi Meta.
Më pas kreu i LSI Ilir Meta vuri në dukje se, “fuqizimi i LSI-së është me shumë rëndësi për të ndihmuar vendin, jo thjesht LSI-në, anëtarët, simpatizantët dhe votuesit tanë sepse ndihmon për normalizimin e politikës shqiptare, për shtensionimin e një polarizimi ekstrem që vihet re dhe që thellohet çdo ditë që i afrohemi fushatës elektorale, dhe kjo është për të ardhur keq, sepse në qendër të vëmendjes duhet të jenë problemet më kryesore me të cilën ndeshen qytetarët tanë. Duhet të jenë problemet ekonomike, duhet të jenë problemet e punësimit dhe problemet që kanë të bëjnë me luftën kundër varfërisë dhe rritjen e mirëqenies së çdo familjeje në Vlorë dhe në mbarë vendin. Por ne besojmë se duke u përqendruar pikërisht në këto mesazhe pozitive dhe jo duke helmuar atmosferën politike me akuza dhe kundërakuza. Ne si LSI do të dimë të bëjmë diferencën dhe mbi të gjitha do të dimë të marrim vlerësimin që duhet për të shtuar kontributin tonë shumë më tepër pas 23 qershorit në ndihmë të forcimit të stabilitetit të vendit, të përmirësimit të qeverisjes dhe të realizimit të objektivave dhe të programit tonë”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Duke bërë prezantimin e Sekretarit të ri Politik të LSI-së në Qarkun e Vlorës, Lideri i LSI-së u shpreh i bindur se do të arrihet të tregohet një progres i dukshëm në ditët dhe në muajt në vazhdim sidomos në drejtim të organizimit por edhe të përgatitjes për programin elektoral për zgjedhjet e vitit 2013, një program i cili sipas z. Meta është për Vlorën por edhe një program për të gjithë Shqipërinë.
Ndërkohë që në fjalën e tij Sekretari Politik i LSI-së për Qarkun e Vlorës, Kasem Cenaj, deklaroi se, “Ne duhet dhe do të punojmë fort për të evidentuar dhe për ta shtrirë LSI-në në të gjitha qendrat e votimit, në të gjitha qelizat e Qarkut të Vlorës, në të gjithë fshatrat e qytetit dhe rrethit. E treta ne duhet të llogarisim që sot atë objektiv për të cilin ne jemi të gjithë këtu që në objektivin e afërt kemi zgjedhjet e 23 qershorit të këtij viti. Objektivi duhet të jetë i qartë. Lëvizja Socialiste për Integrim e qarkut të Vlorës do t’i japë Parlamentit shqiptar më shumë se një deputet në këto zgjedhje”.
Më pas takimi vijoi me analizën e punës së deritanishme si dhe planet për vazhdimin e organizimit në kuadër të fushatës së ardhshme elektorale.