E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në vendin e 27-të në “Indeksin e lirisë ekonomike”

11-01-2013 / Ilda Mihali

Raporti i Indeksit të Lirisë Ekonomike për vitin 2013 vëren se reformat e thella institucionale për të përmirësuar rregullat në tregun e punës, si dhe rritja e efektshmërisë së sistemit gjyqësor, i cili mbetet subjekt i ndërhyrjeve politike janë shumë thelbësore për një sukses të mëtejshëm

Shqipëria është renditur në vendin e 27-të, nga 43 vende në Europë për sa i përket Indeksit të Lirisë Ekonomike nga “Heritage Foundation”.
Vendi ynë është vlerësuar me 65.2 pikë, duke e bërë ekonominë tonë, të 58-ën, më të lirë për indeksin e vitit 2013. Ecuria e përgjithshme ka shënuar një rritje prej 0.1 pikë, por janë vënë re përkeqësime në të drejtat e pronësisë dhe lirisë në punë. Këto zhvillime janë kompensuar nga përmirësimet në lirinë e të bërit biznes dhe menaxhimin e financave publike. Ekonomia shqiptare ka përfituar ndjeshëm nga një dhjetëvjeçar zgjerimi dhe ka përballuar relativisht mirë ndikimin nga kriza ekonomike globale.
“Heritage Foundation” ka nënvizuar se, ecuria e ekonomisë gjatë dy viteve të të fundit ka regjistruar ngadalësim. Zgjerimi i shpenzimeve publike, që qeveria ka synuar se mund të zbuste vështirësitë e rregullimeve të nevojshme ka prodhuar deficite buxhetore dhe ka rritur borxhin publik, i cili tashmë i është afruar nivelit 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ekonomia është kryesisht në dorë të privatëve, pavarësisht se shteti vazhdon të kontrollojë ndërmarrjet kyçe, kryesisht në sektorin e energjisë. Reformat e dobishme strukturore kanë përfshirë privatizimin e bankave, zbatimin e takës konkurruese të sheshtë si dhe modernizimin e mjedisit rregullator.
Raporti i Indeksit të Lirisë Ekonomike për vitin 2013 ka theksuar se, reformat e thella institucionale për të përmirësuar rregullat në tregun e punës, si dhe rritja e efektshmërisë së sistemit gjyqësor, i cili mbetet subjekt i ndërhyrjeve politike janë shumë thelbësore për një sukses të mëtejshëm. Raporti ka ngritur shqetësim për nivelin e korrupsionit në vend, i cili vijon të dëmtojë pritshmëritë për zhvillimin ekonomik në terma afatgjatë.
Shqipëria është lënë pas nga Maqedonia që, është renditur në vend të 21-të nga 43 vendet Europiane, por ka lënë prapa nga ekonomitë e Rajonit, Malin e Zi në vend të 33-të dhe Serbinë, që është vlerësuar në vendin e 37-të.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›