“Propozimi im para të hënës”
Berisha tha dje se propozimi i koalicionit të djathtë për emrin e kryeministrit të ri do të bëhet te Presidenti Bamir Topi, para mbledhjes së parë të Kuvendit të ri, që me dekret presidencial është vendosur pikërisht më 7 shtator. Duke iu referuar Kushtetutës, kreu i qeverisë theksoi se “Kushtetuta thotë se është koalicioni parë ose partia e parë që garanton shumicën që propozon kryeministrin. Për shkak të kushtetutës ky propozim do të bëhet në prag të mbledhjes së parlamentit. Sepse kushtetuta thotë se kryeministri i ri ka një afat ligjor për të paraqitur programin e ri në parlament”, theksoi Berisha. Sipas tij, “propozimi për mandatimin e kryeministrit do të bëhet në prag të mbledhjes së parlamentit. Pasi të finalizohet dhe të konturohet koalicioni i ri qeverisës për katër vitet e ardhshme”. Pas emërimit të kreut të ri të qeverisë, i hapet rruga formimit të kabinetit qeveritar dhe votimit të tij në parlament së bashku me programin për katër vitet e ardhshme. Deri tani koalicioni i djathtë në të cilin bën pjesë e Lëvizja Socialiste për Integrim ka 74 vota.