Meta: Gjinushi ka shumë fantazi, Majkon nuk e kuptoj
E majta e bashkuar shumicë në popull, diferenca me PD-në 200 mijë vota
Kryetari i LSI-së Ilir Meta tregon në televizionin Neës24 detaje të vendimit të LSI-së për tu larguar nga qeveria dhe bashkimin e së majtës shqiptare. Në emisionin 360 Gradë të moderatorit Artur Zheji, lideri i LSI-së theksoi se bashkimi i së majtës shqiptare është në favor të interesit publik për të vendosur një ekuilibër të ri politik në vend. Kreu i LSI-së ka komentuar edhe njëherë lirimin e anëtarit të LSI-së nga KQZ. Për Metën ky akt cenon standardet e zgjedhjeve të ardhshme, prish imazhin e vendit dhe pengon procesin e marrjes së statusit kandidat në BE. Ia deklaroi se e majta e bashkuar përbën shumicën, deh se do të fitojë me mbi 200 mijë vota ndaj PD-së.
Z. Meta, mund ti shpjegoni edhe një herë teleshikuesit tonë se pse vendosët ti thoshit po ftesës së PS-së për koalicion?
Janë një kompleks argumentesh, arsyesh dhe faktorësh që kanë ndikuar në këtë vendim, pra nuk ka një të vetme. Në radhë të parë është interesi publik për të vendosur një ekuilibër të ri politik, një balancë të re midis pushteteve për shkak të përqendrimit gjithnjë në rritje të shumë pushteteve në duart e një partie të vetme, në rastin konkret PD, me të cilën në ishim në koalicion këto 4 vite.
Çmund të kuptojmë me këtë?
Kjo lidhet me vendosjen e ekuilibrave të cilët janë të domosdoshëm për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe për të pasur një demokraci sa më të shëndetshme dhe funksionale. Njëkohësisht për të realizuar një tejkalim të këtij ngërçi për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe për shkak të rritjes së shumë pushteteve në duart e një force të vetme duke krijuar edhe një ekuilibër të ri, një ndarje të re të pushteteve dhe në këtë mënyrë edhe bazën objektive të një bashkëpunimi të paevitueshëm. Më konkretisht kombinimi i Presidentit aktual që ishte propozim i mazhorancës aktuale që mori edhe votat tona me qeverinë e ardhshme.
Jeni penduar që i keni dhënë këto vota z. Nishani?
Nuk është çështje pendimi sepse ka qenë një vendim i marrë në kohën dhe në rrethana që mund ti rikthehemi por besoj se është kohë e humbur. Ka qenë më i mundshmi. Nuk ka qenë më i miri. Ju besoj i mbani mend përpjekjet e mëdha për një President me konsensus. Presidenti, Parlamenti dhe mazhoranca e ardhshme do të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve të tjera apo për kompletimin, funksionimin e tyre, përfshirë këtu institucionet e pavarura si Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese dhe të tjera që janë kyç për të pasur një pushtet gjyqësor sa më solid, të pavarur dhe funksional. Në qoftë se gjithçka do të funksionojë në një qark të shkurtër dhe në linjën e në interesi të caktuar partiak apo të ngushtë partiak atëherë kjo do të thotë që në një qendër të vetme drejtohen të gjitha institucionet.
Ju jeni shprehur gjatë kësaj kohe shumë ashpër për z. Rama, të cilin e keni akuzuar për shumë gjëra. Çfarë ka ndryshuar aktualisht, z. Rama, apo keni ndryshuar ju në raport me të?
Faktori më i rëndësishëm në politik dhe më i fortë nga të gjithë politikanët mendoj se është koha, është një faktor madhor. Dhe gjithçka duhet vlerësuar në raport me kohën, me kohën që ka kaluar por edhe me kohën që po vjen. Kështu që mendoj se koha që po vjen e ka imponuar si një domosdoshmëri këtë bashkëpunim që do të thotë njëkohësisht se edhe koha që ka kaluar ka ndihmuar edhe për një reflektim dhe pjesë e këtij reflektimi mendoj se jemi të gjithë.
A mendoni se do të jetë i qëndrueshëm në kohë edhe ky reflektim i juaji dhe i z. Rama për një bashkëpunim serioz dhe afatgjatë?
Besoj se po, janë të gjitha arsyet, të gjithë faktorët. Nuk kanë qenë të paktë ata, kur unë bëra një koalicion të panatyrshëm me z. Berisha dhe LSI-ja me PD-në, që menduan se kjo nuk do të zgjaste as një javë, as një muaj, që do të kishte konflikte, debate. Por, funksionoi, ashtu sikurse funksionoi pra në mënyrë të qëndrueshme për katër vite dhe të funksiononte më tej do të ishte e panatyrshme. Arsyet që përmenda më parë kanë imponuar një pozicionim të ri të LSI-së dhe mendoj se është një detyrim i madh i imi, i z. Rama dhe i shumë të tjerëve për të sjellë një mundësi të së majtës së bashkuar për të ndryshuar shumë gjëra në këtë vend. Edhe për një arsye tjetër, sepse e majta ka qenë dhe është shumicë në Shqipëri, pavarësisht nga mungesa e bashkëpunimit tyre në 2009-ën që solli edhe atë situatë. Nuk kemi pasur asnjëherë ftesë për bashkëpunim, as në 2005-ën, as në 2009-ën. Tani kemi një ftesë. Ne kemi bërë ftesa.
Koalicioni me PS ka ngjallur shumë reagime. Deputetë të PD deklarojnë se djathta është lehtësuar nga ikja e LSI?
Kjo smë takon mua, aq më tepër kur bëhet nga njerëz që skanë shumë eksperiencë në politikë.
Skënder Gjinushi thotë se ka rrezik që Meta të shesë ndeshjen, për të smund të thuash që ska eksperiencë në politikë.
Profesori e ka pasur eksperiencën e parë të bashkëpunimit që në 92, më pëlqen që e zhvillon fantazinë e tij më tej.
Po Majko, që thotë nuk mund ti them dot derrit dajë, pse?
Nuk e kuptoj fare Majkon.
Bamir Topi thotë se koalicioni një anije e mbushur me ujë, busulla e kësaj anije është e prishur.
Nëse është busulla e çorientuar ai është me fat që ka komardare.
Preç Zogaj shprehet se gabim i Ramës është ky koalicion, bien idetë e Rilindjes thotë ai.
Do komentoja me kënaqësi Berishën e Ramën por nuk mund të komentoj cilindo që do të bëhet sa më i njohur me këto që thotë.
Berisha ka thënë që ky koalicion është pjesë e një komploti.
Ky është një produkt i një formimi që vjen nga e kaluara e mbushur me komplote. Kjo është një zgjedhje fare e natyrshme, unë që në përfundim të marrëveshjes kam thënë se duam të ndryshojmë qeverinë nëpërmjet votës popullore. Këtu nuk ka komplot por zgjedhje politike.
Mendimi juaj për 21 janarin.
Qëndrimi im është i pandryshuar, është drejtësia ajo që duhet ta zbardhë dhe të vërë përgjegjësit para drejtësisë. Unë si person i kam çuar çështjet me drejtësinë deri në fund, kam fituar 5 me 0. Më 21 janar kam qenë në shtëpi.
Si i përgjigjeni zërave në PD që thonë se Ilir Meta na ka prishur imazhin e qeverisjes me duar të pastra.
Do i përgjigjem me buzëqeshje dhe me vota. Nuk përgjigjem me sharje e fyerje. Eksperienca na ka mësuar që këto janë gjërat që mbeten.