Zëvendësimi i anëtarit të LSI-së, debate në KQZ
Debati për zëvendësimin e anëtarit të LSI-së, Ilirjan Muho nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është zhvendosur ditën e djeshme edhe në mbledhjen e KQZ-së. Vetë Muho nuk ishte i pranishëm në mbledhje, ndërsa anëtarët e Partisë Socialiste kanë replikuar ashpër me përfaqësuesit të Partisë Demokratike në KQZ.
Debatet
Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba e ka quajtur si ditë të zezë, marrjen e vendimit për lirimin nga detyra të anëtarit të LSI-së dhe futjes në rend dite në Kuvend të zëvendësimit të tij. Sipas Bibës kjo lëvizje bëhet pasi politika nuk e do të pavarur Komisionin Qendror Zgjedhor. Politika nuk na do të pavarur dhe duke na parë politik e hoqi kolegun si të ishte përfaqësues politik. Jam shumë i tronditur nga ngjarja, dje e sot një ditë akoma më e zezë. Uroj që disa nga deputetet e PD të gjejnë guximin të mos e votojnë është dhunim i ndarjes së pushteteve, ngjarje shumë e rëndë, tha Biba. Edhe anëtarja e tjetër e PS-së, në KQZ, Shtylla tha se në këtë mënyrë po bëhet pis KQZ dhe anëtarët e saj. Politika duhet të rrijë larg KQZ dhe këtë e keni thënë në fjalime të bukura. Ju lutem bëjeni , deklaroi Shtylla.
Reagimi i PD
Ndërsa përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti i ka cilësuar si politike deklaratat e Bibës dhe Shtyllës. Kuvendi është institucioni legjitim, ka institucione të tjera nëse partitë që ju kanë sjellë nuk janë dakord le të shkojnë. Juve nuk ju lejohen deklaratat politike, tha Kosovrasti. Pas këtyre deklaratave ka ndërhyrë kryetarja e KQZ-së, Lefeteri Lleshi e cila kërkoi që të mos vazhdonin më deklarata të tilla politike pasi bien në kundërshtim me rregullat e këtij institucioni. Nga ana e tij përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, u shpreh se në këtë situatë të krijuar anëtarët e këtij institucioni duhet të kishin folur më shumë. Pas këtyre debateve, anëtarët e PS-së në KQZ u larguan nga mbledhja. Pas këtij largimi, kryetarja e KQZ-së, Lleshi tha se mbledhja nuk mund të vijonte më tej pa prezencën e të gjithë anëtarëve duke vendosur shtyrjen e saj.
Përbërja e KQZ-së, ambasadorët: Duam shpjegime për bazën ligjore
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Ëollfarth, duke iu referuar kërkesës së PD-së për zëvendësimin e anëtarit të LSI-së me atë të PR-së në KQZ, tha se po presin një shpjegim ligjor se për sa u mor një vendim i tillë. Disa aktorë politikë dhe ekspertë ligjore kanë shprehur dyshime lidhur me bazën ligjore dhe për këtë arsye duhen të japin një sqarim, mbi ç’bazë u mor një vendim i tillë. Sigurisht që kjo kërkon kohë dhe çdo veprim tjetër duhet të merret me kujdes të madh dhe shpresoj edhe me konsensus. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të jetë organ teknik. Anëtarët u zgjodhën nga Parlamenti në bashkëpunim, si nga Qeveria dhe nga opozita dhe detyra e tyre është apolitike. Ka shumë rëndësi të shpjegohet baza ligjore për çdo hap të ndërmarrë në përbërjen e KQZ-së. Nuk e shoh ende si fakt. Ka pasur vetëm një diskutim në një Komisioni Parlamentar, por fjala e fundit nuk është thënë ende”, tha Ëollfarth. Ndërsa ambasadori i Bashkimit Evropian, në Tiranë, Ettore Sequiu tha se po ndjekin me vëmendje ngjarjet e fundit të ndodhura këto ditë në politikën shqiptare. Ne jemi duke e ndjekur nga afër. Qartësisht dua të them se ne do të ndjekim me vëmendje të veçantë këto diskutime dhe këto zhvillime të fundit”, tha Sequi.