Ndërhyrja e ndërkombëtarëve, shtyhet të hënën votimi për KQZ
Brukseli do të sjellë në Tiranë një ekspert të çështjeve ligjore. Meta: Kemi një sjellje prej diversantësh në politike

Ndërkohë që pritej që mazhoranca të votonte për heqjen e zëvendësimin e anëtarit të LSI-së, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërhyrja e ndërkombëtarëve ka bërë që kjo seancë të shtyhet për të hënën. Pikërisht për këtë arsye misioni BE-së në Tiranë ka thirrur një ekspert ndërkombëtar për çështjet ligjore, që lidhen me zgjedhjet. Ai është Nikolai Vulçanov, një emër i njohur në fushën e legjislacionit zgjedhor, ish-drejtues i disa misioneve të ODIHR-it në vëzhgimin e zgjedhjeve në disa vende. Delegacioni BE-së nuk është ngutur të japë opinionin e tij për këtë çështje kaq të nxehtë, por paraprakisht ka kërkuar të ketë opinionin e specializuar të Vulçanov.
Shtyrja e votimit
Seanca e djeshme plenare filloi me tre orë vonesë, ndërkohë që gjatë kësaj vonese, krerët e grupeve parlamentare u takuan dy herë mes tyre. Pas këtyre takimeve, Kuvendi njoftoi zyrtarisht pas mbledhjes se me konsensus edhe të kreut të grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, zëvendësimi i anëtarit të KQZ-së është shtyrë për ditën e hëne.
Partia Socialiste
Rreth orës, 10:00 Partia Socialiste zhvilloi një mbledhje blic të grupit parlamentar për të përcaktuar qëndrimin e tyre në lidhje me kërkesën e PD-së. Në mbledhjen e cila zgjati vetëm pak minuta, deputetët e opozitës vendosën që të votonin kundër zëvendësimit të anëtarit të LSI-së nga KQZ-ja. Nga ana e tij, deputeti tashmë i larguar nga Partia Socialiste, Asllan Dogjani tha se nëse anëtari i LSI nuk do të lirohej nga KQZ atëherë do prishej balanca në këtë institucion, duke nënkuptuar kështu se vota e tij do ti bashkëngjitet atyre të maxhorancës për shkarkimin e anëtarit të LSI-së na KQZ-ja. Sa i përket anëtarit të LSI, në kod është parashikuar qartë se mënyra si zgjidhen anëtarët e KQZ sa anëtar i takojnë mazhorancës sa i takojnë opozitës. Aktualisht kemi një rast që edhe ligjvënësit nuk e kanë parashikuar një moment të tillë, dhe nëse ky anëtar do i lihet LSI do prishen balancat, tha Dogjani.
Meta
Në pritje të nisjes së seancës, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e quajti si sjellje diversantësh, kërkesën e grupit parlamentar të PD-së. Nuk ka lidhje me ligjshmërinë dhe as me kushtetueshmerinë. Ne kemi një sjellje prej diversantësh në politike, deklaroi Ilir Meta. Nga ana e tij, kryetari i PR-së, Fatmir Mediu e quajti si të drejtë kërkesën e partisë së tij, për të pasur përfaqësues në KQZ pas largimit të LSI-së nga koalicioni qeverisës. Është qesharake të thuash që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është politik. Situata është kthyer në favor të menaxhimit të drejtë të zgjedhjeve. Ky balancim i KQZ-së është mëse i domosdoshëm dhe kërkesa e Partisë Republikane është e drejtë si parti e dytë nga pesha elektorale nga partitë e djathta, tha Mediu.
Reagon SHBA: Anëtarët e KQZ-së janë apolitikë!
Mbrëmë vonë ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Në deklaratë thuhet se mirëpritet vendimi për të shtyrë votimin dhe bëhet thirrje të mos preket KQZ, pasi anëtarët janë apolitikë. Ne mirëpresim vendimin për të shtyrë votimin e kuvendit mbi anëtarësinë në KQZ, dhe nxisim partitë politike që ta përdorin këtë kohë për diskutime konstruktive dhe konsultime të gjera. Shtetet e Bashkuara iu kanë bërë thirrje në mënyrë konsekuente dhe të përsëritur të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri atyre në qeveri dhe atyre në opozitë që të veprojnë në mënyra të tilla që rrisin besimin e publikut në ndershmërinë dhe integritetin themelor të procesit zgjedhor. Të tilla veprime do të përmirësonin perspektivën që rezultati i zgjedhjeve të pranohet nga të gjitha palët dhe nga publiku, në të mirë të demokracisë dhe integrimit më të thellë të Shqipërisë në bashkësinë euroatlantike të kombeve. Për sa i përket përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është me rëndësi të mbahet mend që anëtarët e KQZ-së të cilët u përzgjodhën dhe emëruan mbi bazën e konsensusit ndërpartiak, në përputhje me Kodin Zgjedhor konsiderohen se janë apolitikë. Me tu emëruar, anëtarët e KQZ-së janë betuar, dhe janë të detyruar, që të kryejnë detyrat e tyre për të realizuar zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike në Shqipëri. Duke pasur parasysh një kontekst të tillë si dhe për hir të qartësisë morale ne nxisim të gjitha aktorët politikë që të riafirmojnë përkushtimin e tyre të shpallur ndaj integritetit dhe transparencës procedurale kur shqyrtojnë çfarëdo veprimi të mundshëm lidhur me përbërjen e KQZ-së, thuhet në deklaratë.
Tahiri: Do të mbrojmë integritetin e KQZ-së
Deputeti socialist, Saimir Tahiri, teksa konfirmoi vendimin e marrë në mbledhjen e grupit të PS-së tha se me cenimin që po i bëhet KQZ-së janë cenuar njëkohësisht dhe vlerat dhe morali i çdo shqiptari. Do bëjmë gjithçka të mundur për ta ndalur dhe nuk përjashtojmë asnjë gjë. Këta njerëz që diskutojnë për moralin e shoqërinë si dhe vlerat më të mira shoqërore, këta janë të kërcënuar sa kohë është kërcënuar KQZ. Sot(dje) në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, u fol vetëm për të mbrojtur ligjshmërinë integritetin e KQZ, si një trup të vetëm, dhe as të mbrojë ndonjë parti. Sot(dje) u fol për të mbrojtur ligjshmërinë e kushtetutshmërinë e këtij institucioni, tha Tahiri.
Naço: Ndërkombëtarët nuk do të lejojnë këtë shkelje të KQZ-së
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nasip Naço tha pak para nisjes së seancës plenare se ndërkombëtarët nuk do të lejojnë PD-në që të bëjë këtë shkelje ndaj KQZ-së. Do e votojnë edhe po gjetën 2 apo 3 deputetët ta kalojnë këtë nismë, por ata duhet ta dinë që ndërkombëtarët nuk lejojnë shkeljen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Qëndrimi jonë do jetë qëndrim i një njeriu, të cilit i shkelen të drejtat në parlament. Por, njëkohësisht dhe për tu dhënë shpresë shqiptarëve se shkeljet që bën kjo mazhorancë, janë rrezik real që i kanoset shqiptarëve dhe jo vetëm së majtës, tha Naço.
Koka akuzon Berishën: Gjithmonë ka krijuar trazira
Edhe deputeti tjetër i LSI-së, Lefter Koka duke ju referuar Kodit Zgjedhor e quajti si antikushtetuese kërkesën e PD-së, për zëvendësimin e anëtarit të LSI-së nga KQZ-ja. Në Kodin Zgjedhor është përcaktuar qartë kur bëhet zëvendësimi i anëtarëve të KQZ. Kjo tregon se, nesër mazhoranca mund të ndërrojë gjithë anëtarët nëse do. Bëj thirrje që mazhoranca të bëjë zgjedhjet e duhura, të mos krijojë tensione artificiale. Aktualisht ka mes partive politike ka një gjendje tensioni shumë të lartë, partitë të tensionuara uroj të mos ndodhë diçka e paparashikuar. Unë besoj se respektimi i Kodit Zgjedhor është thelbësor dhe ligjvënësi duhet të respektojë KQZ. Unë besoj se është një fenomen tashmë i njohur, tha Koka. Në vijim, deputeti i LSI-së akuzoi kryeministrin Berisha si shkaktarin e kësaj gjendjeje. Sa kohë që kryeministri është në politikë nuk mendohet çdo ndodhë por çka në mendjen e tij. Ai gjithmonë ka krijuar trazira. Ne sot kërkojmë të respektohet e zbatohet ligji. Nëse sot jemi larguar nga mazhoranca me këtë që po bën PD i bie që edhe ne të kërkojmë rivotimin e presidentit, atë të prokurorit. Nuk rikthehemi dot për çdo vendim që kemi votuar. Do të uroja të kemi qetësinë e duhur që të shkojmë në zgjedhje pa presionet e duhura pas kalimit në minorancë, deklaroi deputeti, Lefter Koka.