Meta: Jam lider i opozitës në opozitë
Besojmë se edhe me socialistët që janë ende në PS-në zyrtare, do të bëjmë një marrëveshje pas zgjedhjeve. Ky ishte konstatimi i bërë dje nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, në një intervistë për radion BBC. Sipas tij, kuptohet që kreu aktual i PS-së zyrtare nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë vullnet për bashkëpunimin opozitar. "Midis lidershipit të PS-së zyrtare dhe socialistëve ne bëjmë një dallim esencial, sepse ne bashkëpunojmë çdo ditë me socialistët. Pak ditë më parë nënshkruam edhe një marrëveshje për bashkëpunim elektoral me Partinë Socialiste të Vërtetë 91, të drejtuar nga kolegu ynë Petro Koçi dhe shumë eksponentë të tjerë socialistë ndër vite", theksoi Meta. Ai shtoi se Rama është një nga përgjegjësit kryesorë pas Berishës, që mban përgjegjësi për çdo cenim të standardit të zgjedhjeve. "Mendoj se sistemi proporcional rajonal nuk përbën ndonjë shqetësim për sa i takon asaj që do të ndodhë pas zgjedhjeve, pasi opozita në përgjithësi i ka të gjitha mundësitë që, përmes dy koalicioneve të saj, të maksimalizojë rezultatin", vlerësoi Meta. I pyetur lidhur me akuzat e kreut socialist në drejtim të tij, Meta insistoi se "nuk ka asnjë akuzë të ngjashme, sepse ne jemi një opozitë e vërtetë". "Unë, u shpreh Meta, jam lideri i opozitës në opozitë, në kuptimin e vërtetë, pasi te ne, njerëzit vijnë për arsye morale, sepse unë nuk jam as kryetar bashkie, nuk jam Kryeministër". "Nuk ofroj tenderë, nuk ofroj leje ndërtimi, por ofroj besim dhe moral për një ndryshim të politikës në Shqipëri dhe për të mbrojtur vlerat e majta dhe progresiste", u shpreh Meta. Situata parazgjedhore nuk është ajo e dëshirueshmja për një klimë normale demokratike në vlerësimin e Metës. Po të kemi parasysh situatat me mediat, shtoi ai, nuk është një situatë transparente, televizione të caktuara janë krejtësisht të kontrolluara ose nga bashkia ose nga qeveria. "Njëkohësisht po të vëmë re, edhe tensioni sa vjen dhe rritet, kështu që do të apeloja të gjithë për një klimë më konstruktive, sikurse do të apeloja të gjitha mediat për të qenë më transparente në misionin e tyre të informimit të opinionit publik për çdo zhvillim", insistoi Meta.