"Në 4 vjet, qeveria anarki me pronat"
Partia më e madhe e opozitës vlerëson se pronat mbeten një çështje kyçe për të realizuar një ekonomi tregu funksionale, kusht themelor me të cilën lidhet jo vetëm integrimi në BE, zhvillimi ekonomik i vendit, por edhe zgjidhja e konflikteve sociale. Deputeti Alfred Dalipi tha dje se një numër institucionesh ndërkombëtare, si BE, OSBE, DASH, "Transparency International", periodikisht kanë adresuar në mënyrë kritike trajtimin e çështjes së pronësisë nga qeveria "Berisha". "Presidenti i Republikës, në cilësinë e kreut të shtetit, ditë më parë shprehu shqetësimin se në mjaft raste qytetarët janë të painformuar për çështjen e pronave, nuk gjejnë aksesin e duhur për informim dhe shpeshherë këto veprime administrative nga punonjës të rëndomtë të administratës bëhen në konspiracion për të realizuar qëllime të errëta të tjetërsimit të pronës", theksoi Dalipi. Reagimi i qeverisë nëpërmjet ministrit të Drejtësisë, tha ai, si dhe herë të tjera, në vend të reflektimit vazhdoi rolin e kundërvënies ndaj kujtdo, qoftë ky dhe Presidenti, në mbrojtje të arritjeve madhështore të qeverisë së tij, duke demonstruar vetëm papërgjegjshmëri për zgjidhjen e këtij problemi. "Qeveria nuk ka realizuar premtimet e 2005 për prona, përkundrazi gjatë këtyre 4 viteve karakteristike ka qenë: anarkia në prona, zvarritja e procesit pafundësisht, mungesa e transparencës, stërlodhja e pronarëve me një mal dokumentesh që ndryshojnë nga dita në ditë, jo për përfituar pronarët, por qeveritarët", nënvizoi Dalipi.