Mustafaj: PD e Tiranës, zgjedhjet janë bllokuar
Partia Demokratike ka bllokuar zgjedhjet për kreun e ri të selisë blu në Tiranë. Alarmin e bëri publik një prej kandidatëve më aktivë të garës për kryetarin e PD-së në kryeqytet. Deputeti Besnik Mustafaj akuzon drejtpërdrejtë selinë blu për mungesë transparence dhe mbledhje forumesh. "Mungon transparenca për zgjedhjet brenda Partisë Demokratike në Tiranë. Deri tani, nuk ka asgjë të re, për vazhdimësinë e procesit", shprehu shqetësimin e tij Mustafaj. I gjendur para një tjetër gare zgjedhore, atë për degën e Tiranës, deputeti Mustafaj theksoi se "është Kryesia e Partisë Demokratike ajo që duhet të marrë vendimin për të shtyrë zgjedhjet brenda selisë blu". Sipas tij, asgjë nuk është e qartë nëse këto zgjedhje do të bëhen para apo pas 28 qershorit, duke shtuar se "kjo situatë favorizon ende Sokol Olldashin". Megjithëse u premtua një riformatim në PD-në e Tiranës, në krye të kësaj partie në kryeqytet vazhdon të qëndrojë Sokol Olldashi dhe sekretar i përgjithshëm për Tiranën, Bujar Nishani. Statuti i PD-së përcakton se do të jenë 800 delegatë që do të zgjedhin kryetarin e ri mes dy ose tre kandidatëve të përzgjedhur në konferencën e Tiranës dhe Kryesinë e PD-së. Sipas një ndarjeje territoriale, ishte Kryeministri Berisha ai që do të kujdesej personalisht për vijimësinë e garës në dy qytetet e mëdha, si Tirana dhe Durrësi. Sa i takon daljes publike të Fatos Nanos, deputeti demokrat thotë se "ai bën pjesë në forcën politike që premtoi ta nxjerrë në pension, ish-kryetarin e PS-së, dhe ky i fundit, ishte i paqartë për pozicionin që i takon". Lidhur me deklaratën e tij një javë më parë për ministrat problematikë dhe ndryshimet në qeveri, duket se koha parazgjedhore ka ndryshuar paksa kursin e deklaratave të deputetit Mustafaj. Sipas tij, qeveria ka ende ministra problematikë, por duhet të ketë kujdes në fushatën elektorale. "Mazhoranca reagoi në kohë për tragjedinë e Gërdecit, por Prokuroria nuk po e zbardh atë me ritmin e duhur", u shpreh Mustafaj. Ai bëri me dije se, nëse para zgjedhjeve, funksionarë të lartë politikë do të gjenden fajtorë, kjo do të ketë kosto për shumicën. Sipas Mustafajt, jo vetëm "Gërdeci", por edhe konsumimi i qeverisë dhe mbajtja pa arsye e shumë ministrave në kabinet, përbëjnë probleme për PD-në në prag të zgjedhjeve.