Meta: “Jam lideri i vërtetë i opozitës, s’përjashtoj bashkëpunim me socialistët, por pa Edi Ramën”
Ilir Meta flet për BBC-në, komenton marrëdhëniet me PS-në dhe Edi Ramën, si edhe lëvizjet e anëtarësisë reciprocikisht nga PS-ja te LSI-ja
TIRANE – “Unë jam lideri i vëretë i opozitës”. Kështu ka deklaruar në një intervistë për BBC-në, Ilir Meta, kryetari i LSI-së. “Ne jemi një opozitë e vërtetë. Unë jam lideri i opozitës në opozitë, në kuptimin e vërtetë, pasi te ne njerëzit vijnë për arsye morale, sepse unë nuk jam as kryetar bashkie, nuk jam kryeministër, nuk ofroj tendera, nuk ofroj leje ndërtimi, por ofroj besim dhe moral për një ndryshim të politikës në Shqipëri dhe për të mbrojtur vlerat e majta dhe progresiste”, ka deklaruar lidhur me këtë argument Ilir Meta.
Për sa i përket një bashkëpunimi të mundshëm në zgjedhje me PS-në, ish-kryeministri Meta e shikon kreun e PS-së, si person pa vullnet bashkëpunimi, ndërsa nuk përjashton mundësinë se bashkëpunimi do të vazhdojë me socialistët e tjerë.
“Ne besojmë se edhe me socialistët që ende janë në PS-në zyrtare, do të bëjmë një marrëveshje pas zgjedhjeve, pasi kuptohet që kreu aktual i PS-së zyrtare nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë vullnet për bashkëpunimin opozitar dhe kanë qenë përgjegjësit kryesorë të degradimit të Kodit Zgjedhor, dhe të situatës që u krijua me grevën e urisë”, ka bërë të ditur më tej Ilir Meta në intervistën e tij për BBC-në.
Kreu i LSI-së, ka folur në intervistën e tij edhe për lëvizjet reciproke të anëtarësisë së PS dhe LSI-së, duke bërë dallimin se lëvizjet nga PS te LSI-ja bëhen për arsye mroale, ndërsa nga LSI-ja te PS-ja bëhen përmes ofertave korruptuese të kryebashkiakut të Tiranës.
“Të gjithë ata që vijnë te LSI-ja, vijnë për arsye morale dhe për arsye bindjesh politike. Ndërsa raste tepër sporadike të porositura nga ana e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, përmes ofertave korruptuese për individë të dëshpëruar që thjesht synojnë të rregullojnë ekonominë e tyre për momentin, jo vetëm nuk përbën ndonjë fenomen, por janë raste krejtësisht të shëmtuara që kanë ndihmuar shumë në rigjallërimin e LSI-së kudo ku ato kanë ndodhur. Ne në LSI kemi pritur me mijëra socialistë të paktën në vitin e fundit, që kur Rama shkeli Kushtetutën e 98-s, pra e kam fjalën për 21 Prillin, dhe në rast se do përpiqet përsëri me taktika të tilla korruptive të cilat në fakt synojnë të fshehin panikun e madh të tij, për rrjedhjen e jashtëzakonshme që po i ndodh në partinë e tij si rezultat i shkeljes së vlerave dhe traditës të PS-së”, u shpreh më tej Meta.