Reagimi/Trillimet e mister censurës nuk i imponojnë dot PD-së kursin e saj politik

TIRANE - Partia Demokratike reagoi dje ndaj shkrimeve të publikuara në disa fletushka të përditshme në vend, të cilat hidhnin hipoteza të pabaza dhe jashtë çdo lloj konteksti politik se PD do të ndërtojë koalicion paszgjedhor me LSI-në.
Zëdhënësi i selisë blu Gerti Bogdani, e konsideroi këtë si një tjetër dhunë e ushtruar nga Edi Rama ndaj shtypit të lirë.
“Edi Rama, Mister 15%, Mister Dosja por mund t’i themi me të drejtë Mister Censura dhe Mister Mashtrimi, diktoi fletushkat e kontrolluara prej tij, të mashtrojnë shqiptarët mbi deklaratën e bërë nga kryeministri në emisionin “Opinion”, lidhur me mundësitë e koalicioneve postzgjedhore. Kështu fletushkat hapen me titujt se Berisha nuk bën koalicion me Ramën por me Metën pas zgjedhjeve. Ky është një trillim i shëmtuar dhe amoral i zotit Rama por edhe një keqpërdorim ekstrem i mediave në vend dhe përdorim i tyre si organe të mashtrimit”, tha Bogdani.
Zëdhënësi i PD-së citoi se kryeministri në deklaratën e tij ka bërë të qartë se Rama dhe Meta janë gjysmat e kalbura të një molle me të cilët nuk bën koalicion, por për luftën e brendshme politike brenda opozitës, Edi Rama urdhëron mediat e kontrolluara prej tij që të shkruajnë e të trillojnë deklarata të paqena.
“Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe këtë censurë dhe korruptim të mediave. Edi Rama, i cili një ditë më parë censuroi televizionet që kontrollon me leje ndërtimi, me lista deputetësh, me ndërmarrje të përbashkëta apo me mënyra të tjera, Telebelinda, Telejala, dhe Telebashkia, që në mënyrë të përbashkët të mos transmetojnë deklaratat e njeriut që drejtoi për 15 vjet Partinë Socialiste, si një dëshmi kjo e intolerancës totale të tij ndaj fjalës ndryshe, sot bën të njëjtën gjë me fletushkat që kontrollon duke i shndërruar në organe mjerane”, nënvizoi Bogdani.
Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga praktika të tilla të shpifjeve dhe trillimeve sepse ky është një standard i papranueshëm nga mbarë qytetarët shqiptarë kundër shprehjes dhe fjalës së lirë.