Mrika, zëdhënësja e “baltosjes”, tenton t’i heq baltën Edi Ramës
TIRANE - Zëdhënësja e Edvin Ramës, Mimi Kodheli (Mrika) ka akuzuar dje publikisht kryeministrin Sali Berisha, se ka hedhur baltë mbi kundërshtarët e tij politikë.
Megjithëse si forcë politike me zanafillë baltosjen është presupozuar gjithmonë, edhe nga faktet madje, Partia Socialiste dhe kryetari i saj Rama, tashmë klika edviniste e shtyrë dhunshëm, akuzon kreun e qeverisë për baltosje politike
Në kushtet kur i gjithë opinioni publik ka kuptuar se akuzat e pamoralshme të Edvinit dhe hispanikëve të tij, ndaj projekteve madhore si rruga Durrës-Kukës-Morinë apo ndaj çdo investimi galopant në vend, janë akuza baltosëse me qëllime politike, Mrika po demonstron një strategji të dështuar për të mbrojtur kryetarin e dhunshëm të saj.
Ajo tha në deklaratën e saj se kryeministri Berisha ka cënuar dinjitetin familjar (në fakt të një pafamiljari) të Edi Ramës dhe se sipas saj kjo është politika që kryeministri i vendit po ndjek.
Ndërkaq, Mrika harron deklaratat e çdo seancë plenare apo edhe deklarimet ditore për mediat, ku deputetucët e Edvinit, nuk bëjnë gjë tjetër, nuk diktojnë në mënyrë të ndershme punën e qeverisë në tërësi, por përgojojnë familjarët e kryeministrit Berisha.
Mrika harron se tashmë është bërë si rutinë që deputetë si Taulant Balla dhe Erjon Braçe apo edhe “Aktivi” pretendent për deputet Erjon Veliaj, në kushtet e humbjes së zanafillës politike dhe të dështimit të plotë të tyre si personalitete të politikës, pa asnjë kontribut për t’u shënuar në të, përpiqen që në mënyrë imorale, pra duke u marrë me familjen e kryeministrit, të mundohen sado pak të fitojnë kapital politik dhe mbështetjen e agresorit Rama. Ndaj edhe deklarata e Mrikës dje se “kryeministri Berisha ka hedhur baltë mbi familjen e Edi Ramës dhe sipas saj kjo strategji është e njohur, sepse kjo është politika që kryeministri Berisha po ndjek”, tregon qartë se nën influencën e dhunës qenia e brishtë, pra Mrika, do të përdorë për akuza ato që familja Berisha reagon gjithmonë kur deputetucët e lart përmendur që shpifin dhe trillojnë.
Nga ana tjetër, Kodheli nuk kurseu akuzat as për kreun e LSI, Ilir Meta, të cilin e cilësoi si “ministër i qeverisë, që mbulon punët e opozitës”.