E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Jemi forcë përcaktuese në zgjedhjet vendore”



Eljona Ballhysa
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha dje në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar se LSI-ja është forcë përcaktuese në zgjedhjet vendore, ndaj dhe po sulmohet fort nga opozita. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë mbledhje, e cila u thirr pas ndryshimeve të fundit në qeveri, Meta shpjegoi dhe njëherë pozicionin e tij duke thënë se asnjëherë nuk ka kërkuar të shkelet ligji. Madje Meta tha se do ta fitojë betejën e tij kundër çimkave dhe montatorëve. Ndërkaq, kryetari i LSI-së akuzoi dyshen Prifti-Rama për manipulimin e videos dhe përpjekjen për ta përdorur këtë video si shantazh ndaj tij, për të rrëzuar qeverinë “Berisha”. Më tej Meta iu referua zgjedhjeve të 8 majit, duke bërë të ditur se koalicioni i integrimit do ta fitojë pa diskutim këtë betejë elektorale, pasi përballë ka një njeri frikacak, siç është Edi Rama.
Zgjedhjet
“Për zgjedhjet e 8 majit të jeni të bindur ju se koalicioni i integrimit do të fitojë pa asnjë diskutim betejën me koalicionin e çimkave. Roli i LSI-së është një rol jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe përcaktues. Kjo është dhe arsyeja që ka një investim të madh për të goditur këtë forcë politike”, - është shprehur Meta, ndërsa ka dënuar shantazhet e Ramës. Madje ai i bëri thirrje Ramës që të heqë dorë nga presionet dhe kërcënimet fizike. “Shikoni shantazhet që bën Edi Rama, sepse nuk e merr dot pushtetin me vota, do ta marrë pushtetin me dhunë, shantazhe dhe presione. Dhe unë do t’i them sot Edi Ramës të heqë dorë nga shantazhet, nga presionet, nga kërcënimet fizike, nga thirrjet që i bën mafies për t’u bashkuar në aktivitete kundër shtetit, sepse nëse ka njeri frikacak në këtë vend, i pari është Edi Rama, dhe unë këtë e di më mirë se cilido tjetër”, - është shprehur Meta. Sipas Metës, ka dy sisteme krejt të ndryshme vlerash në PS. I pari është lidershipi i opozitës së sotme dhe i dyti janë socialistët e thjeshtë, të cilët janë të neveritur nga politika çimkave dhe e shantazheve. “Ndaj jam i bindur se 8 maji që po troket është problemi më i madh i Edi Ramës, sepse qytetarët e Tiranës kanë vendosur që Bashkia e tyre të jetë në shërbim të qytetarëve, dhe jo në shërbim të mafiozëve”, - është shprehur Meta.
Videoja
Përsa i përket videos, Meta tha se ka qenë në dijeni të saj qëkur u bënë ndryshimet e para në qeveri, me largimin nga posti i ministrit të Dritan Priftit. Sipas Metës, Prifti i ka dërguar një mesazh, në të cilin i ka thënë se në rast se e heq nga posti i ministrit, ai do të bëjë publike një video të tmerrshme. “Mora më pas një mesazh se po të hiqej ai nga ministër, do të bëhej kiameti dhe do të dilte një video e tmerrshme”, - është shprehur kryetari i LSI-së. Por, sipas Metës, përpjekjet e Priftit kishin vazhduar. Ai ishte takuar me Ramën dhe i kishte sjellë propozimin që të bëhej kryeministër dhe të rrëzonte Berishën. “Pasi ishin bërë këto ndryshime, më erdhi mua pas takimeve që kishte pasur me Edi Ramën, për të më bindur se Edi Rama e kishte seriozisht që unë të bëhesha kryeministër dhe të hiqnim Sali Berishën. Dhe ky nuk donte gjë tjetër, vetëm të rikthehej në pozicionin e ministrit nga ku kishte ikur”, - është shprehur Meta. Më tej, kreu i LSI-së tha se nuk dha dorëheqjen që në momentin e parë të transmetimit të videos për shkak se ajo ishte e montuar. Ai sqaroi se me reagimin e tij i detyroi manipuluesit që brenda 24 orëve të pohonin montimin e videos. Meta shprehu bindjen se tani që është zhveshur nga çdo lloj pushteti politik do ta fitojë betejën me krimin.

BOX
Meta tha:

“Lëvizja Socialiste për Integrim do të konfirmohet fuqishëm më 8 maj nga qytetarët e Tiranës dhe të të gjithë Shqipërisë si një forcë e qytetarëve, si një forcë e vlerave më të mira njerëzore”.

“Ata që vinin baste se nuk do të hiqeshin vizat deri në fund të dhjetorit, që nuk lanë greva urie e demonstrata pa bërë, dështuan me turp, siç do të dështojnë në të gjitha sfidat antiqytetare”.

“Nuk është asnjë surprizë videoja për mua dhe nuk është asnjë surprizë as për Kryesinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim”.

“Në ditën kur janë bërë propozimet për të ndërruar pozicionet e ministrave të LSI-së në qeveri unë mora një mesazh besnikërie pa fund nga ish-ministri që na doli çimkë”.

“Mesazhi ishte se po të mos shtyja mbledhjen dhe po të hiqej ai nga ministër, do të bëhej kiameti dhe do të dilte një video e tmerrshme”.

“Prifti erdhi pas takimeve që kishte pasur me Edi Ramën për të më bindur mua se Edi Rama e kishte seriozisht që unë të bëhesha kryeministër dhe të hiqnim Sali Berishën”.

“Unë nuk mund të jepja dorëheqjen për një montazh dhe nuk mund të jepja dorëheqjen kur të donin ata për të krijuar një moment destabiliteti e anarkie në vend”.

“Me reagimin tim i detyrova që pa u bërë 24 orë të pranojnë se videoja ishte manipulim”.

“Unë ju siguroj se betejën ligjore do ta fitoj përballë montazhit të krimit të organizuar, të çimkës, të kryeçimkës dhe gjithë kësaj bande që synon të marrë peng institucionet dhe shtetin”.

“Unë do t’i them sot Edi Ramës të heqë dorë nga shantazhet, nga thirrjet që i bën mafies për t’u bashkuar në aktivitete kundër shtetit, sepse nëse ka njeri frikacak në këtë vend, i pari është Edi Rama, dhe unë këtë e di më mirë se cilido tjetër”.

“Ndaj jam i bindur se 8 maji që po troket është problemi më i madh i tij. Sepse qytetarët e Tiranës kanë vendosur që Bashkia e tyre të jetë në shërbim të qytetarëve, dhe jo në shërbim të mafiozëve”.

BOX
Kryesia e LSI-së do të shqyrtojë më 15 shkurt kandidaturat për njësitë vendore

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u bëri thirrje dje anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar që brenda datës 15 shkurt të paraqesin propozimet për kryetarë bashkish, komunash dhe për këshilltarë. “Kryesia ka vendosur që brenda 15 shkurtit të ketë të gjitha kandidaturat për drejtues të gjitha njësitë vendore në bashkitë dhe komunat e vendit. Do t’i ftoja dhe ky është një nga objektivat e kësaj mbledhjeje; që brenda 15 shkurtit, të gjitha forumet e LSI-së të paraqesin emrat më përfaqësues, të cilët ata mendojnë se do të përfaqësojnë LSI-në. Jo vetëm për kryetarë njësish, por natyrisht edhe për këshilltarë, çka është mjaft e rëndësishme për përfaqësimin tonë në të gjitha bashkitë dhe komunat në mbarë vendin”, - është shprehur Meta. Ai tha se tashmë ai do të jetë 24 orë në 24 në krye të LSI-së, madje më shumë se çka qenë në fillim në themelimin e partisë. “Unë totalisht, duke filluar nga dita e sotme, jam 24 orë në 24 në krye të LSI-së anembanë Tiranës, anembanë Shqipërisë për të arritur objektivat tona politike”, - është shprehur Meta.

Reagime
Shalsi: “Meta në KDK ishte i dëshpëruar dhe i marrë fund”

Deputeti socialist Eduard Shalsi ka reaguar dje pas fjalës së mbajtur nga Ilir Meta në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së. Shalsi e cilësoi daljen publike të Metës të dëshpëruar. “Unë jam këtu për të thënë se shfaqja e Ilir Metës, këtij matrapazi të paskrupullt, në atë komitet të ndjesë pastë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ishte një shfaqje e turpshme, e një njeriu të dëshpëruar, të marrë fund. Largimi i Ilir Metës ishte thjesht një manovër për të mbajtur në këmbë koalicionin e vjedhjes dhe zhvatjes së Shqipërisë, për të mbajtur në këmbë këtë bandë që dita ditës po rrënon dhe varfëron jetën e çdo shqiptari të ndershëm. Në këtë shfaqje të turpshme, Ilir Meta është vetëm një aktor i pështirë, por regjisor i kësaj shfaqjeje është dhe mbetet Sali Berisha”, - është shprehur Shalsi.

Ngjela: “Imuniteti nuk lihet, PS-ja do të kërkojë abrogimin e nenit 73 të Kushtetutës”

Politikani dhe avokati Spartak Ngjela ka shpjeguar dje se asnjë deputet nuk mund të heqë dorë nga imuniteti, pasi kjo është e drejtë kushtetuese. Ai tha se vetëm nëpërmjet abrogimit të nenit kushtetues mund të hiqet imuniteti i deputetëve. Nga ana tjetër, Ngjela tha se Partia Socialiste do të bëjë kërkesë në Kuvend që të hiqet ky nen i Kushtetutës. “Nuk ka heqje dorë nga imuniteti. Imuniteti është nen kushtetues, neni 73, fraksion 2. I bëj thirrje dhe do t’i kërkojmë Grupit Parlamentar të PS-së të iniciojë në Parlament abrogimin e këtij neni. Të gjitha të tjerat janë gënjeshtra. Nuk ka prokurori që pranon shkeljen e Kushtetutës me vullnetin tënd. Nga asnjë e drejtë kushtetuese nuk hiqet dorë. Le ta abrogojnë nenin 73, pika 2 të Kushtetutës. Ai është seriozitet, të gjitha të tjerat tregojnë frikë”, - është shprehur avokat Ngjela.

17 Janar 2011

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›