Halimi: “Rama manipuloi videon për të akuzuar Berishën”
Eljona Ballhysa
Deputeti demokrat, Eduard Halimi, ka akuzuar dje kryetarin e PS-së, Edi Rama, se u përpoq të akuzonte kryeministrin Berisha nëpërmjet manipulimit të videos Prifti-Meta. Halimi tha se videoja u montua qëllimisht që të inkriminohej edhe kryeministri Berisha. Por, sipas Halimit, ishte po media ajo që nxori të vërtetën në dritë duke publikuar të plotë bisedën dhe duke treguar se nuk bëhej fjalë për korrupsion, por për respektimin e marrëveshjes mes PD-së dhe LSI-së. Gjatë fjalës së tij, Halimi ka hedhur një sërë akuzash ndaj kryetarit të PS-së, ndërsa selia blu, nëpërmjet një deklarate për mediat, e akuzon Ramën për qëndrimin e tij ndaj mediave të lira.
Akuzat
“Në psikologjinë e tij, Edvini i Kiços së Bllokut mendon se njerëzit nuk kanë sy dhe nuk e panë se ai kishte prerë 33 sekonda të videos së regjistruar, dhe konkretisht nga minuta 13.29.43 në minutën 13.30.03, vetëm e vetëm që të mund të akuzonte kryeministrin e vendit, pasi ai vetë tashmë është i damkosur si strumbullar i korrupsionit”, - është shprehur Halimi. Sipas deputetit demokrat, “ishte po media që transmetoi manipulimin ndaj kryeministrit, të cilën Rama e shpërfytyroi nga mjet informimi në hanxhar politik, e trembur nga një proces gjyqësor të humbur si të mëparshmin për manipulim, e ritransmetoi atë disa herë të paprerë, ku faktoi se në pjesën e prerë nuk flitej për hidrocentrale, por flitej për zëvendësimin e drejtorit të KESH-it, në zbatim të marrëveshjes PD –LSI”. Halimi më tej tha se nëpërmjet këtij veprimi Rama nuk bëri gjë tjetër veçse tregoi se është i aftë të ndërmarrë çdo montim e trillim për të luftuar kundërshtarët e tij. “Ky montator dhe falsifikator mendon se shqiptarët i besojnë atij se nuk është ai që bojkotoi Parlamentin e që ndërmori greva urie, protesta e që shpërndau letra nga të katër anët për të bllokuar vizat dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, por shqiptarët sot lëvizin të lirë në mbarë Europën”,- është shprehur Halimi.
Media
Partia Demokratike ka dënuar qëndrimin e mbajtur nga Rama karshi mediave të lira, ndërsa ka vlerësuar transmetimin e plotë të videos nga Top-Channel. “Partia Demokratike, në këtë deklaratë për shtyp, denoncon qëndrimin amoral të z. Rama ndaj mediave dhe fjalës së lirë. Partia Demokratike, pas denoncimit që kryetari i saj z. Sali Berisha i bëri atij manipulimi, vlerëson transmetimin që ky kanal televiziv i bëri videos së manipuluar, duke nxjerrë në pah dhe para të gjithë shqiptarëve fytyrën e profesionin e vetëm të Edvin Ramës, si manipulator që nuk ndalet para asgjëje për të trilluar e falsifikuar për kundërshtarin e tij”, - shkruhet në deklaratën për shtyp të selisë blu. Më tej PD-ja garanton se qeveria “Berisha” dhe administrata e kësaj qeverie nuk do të ndërmarrin asnjë proces gjyqësor ndaj mediave të pavarura. “Mediat kombëtare, publike e private, janë një pasuri e vyer e hapësirës sonë informative dhe armiqtë e vërtetë të tyre janë çakejtë dhe padronët që i shndërrojnë në hanxhar të qëllimeve politike”, - përfundon njoftimi për shtyp i PD-së.
TALIO
Akuzat
Felaj: “Kryetarja e Gjykatës së Lartë vërtetoi se Meta ka gënjyer”
Partia Socialiste ka reaguar sërish dje për bisedën Prifti-Meta. Duke iu referuar deklaratës së bërë një ditë më parë nga kryetarja e Gjykatës së Lartë, deputetja socialiste, Ermonela Felaj, tha se Beçaj vërtetoi gënjeshtrën e Metës. “Pas deklaratës së djeshme të kryetares së Gjykatës së Lartë, skandali korruptiv ku është përfshirë Ilir Meta merr një përmasë krejtësisht të re. Zonja Beçaj deklaroi publikisht se vendimi i Gjykatës së Apelit për të cilin bëhet fjalë në video, në fakt është dhënë 3 muaj pas regjistrimit të videos, pra jo në mars 2010, por në datën 18 qershor 2010. Sipas deklaratës së kryetares së Gjykatës së Lartë rezulton që Ilir Meta të ketë gënjyer në lidhje me ekzistencën e vendimit të formës së prerë për kompaninë që kërkonte koncesionin e hidrocentralit”, - është shprehur Felaj. Sipas saj, ish-zëvendëskryeministri u përpoq të shfajësohej nëpërmjet vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, i cili nuk ishte marrë ende. “Pasi u kap gafil, i regjistruar në video, teksa përpiqej si ndonjë padrino i vërtetë i mafies të ushtronte presion mbi një ministër për t’u dhënë miqve të tij në këmbim të 700 000 eurove një koncesion për ndërtim hidrocentralesh, nga i cili edhe ai vetë është akuzuar se do të përfitonte 20% të të ardhurave, Ilir Meta shpresoi të përdorte një vendim inekzistent të Gjykatës së Apelit, si një gjethe fiku për të shpëtuar nga përballja me drejtësinë”, - është shprehur deputetja socialiste. Felaj tha se Meta ka vepruar si një padrino duke përdorur pushtetin për përfitime personale. “Ilir Meta ka vepruar në traditën më të mirë të një padrinoje të oborrit të Sali Berishës, duke përdorur pushtetin e presionin për përfitimin e tij personal. Prokuroria duhet të hetojë edhe mbi këtë blof të turpshëm të Ilir Metës dhe ta marrë atë nën hetim ashtu siç do të kishte bërë me çdo shkelës ligji të rëndomtë në këtë vend”, - ka përfunduar Felaj.
BOX
Pesha: “Më 8 maj do të shporren çimkat dhe mafiozët”
Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Besjan Pesha, e akuzoi dje gjatë një deklarate për shtyp Partinë Socialiste, e cila, sipas tij, është e kapur nga klanet kriminale e mafioze. “Fakt është se Partia Socialiste e Shqipërisë është shndërruar tashmë nga gjithë kjo histori në Partinë e Spiunëve të Shqipërisë. Prandaj sot është koha për dezinfektim të Partisë Socialiste. Dua t’iu bëj të ditur edhe njëherë këtyre terroristëve politikë, se lufta jonë kundër krimit të organizuar, klaneve mafioze dhe aferave të tyre korruptive nuk ka për t’u ndalur në asnjë moment. Sot më shumë se kurrë është koha për dezinfektimin e Bashkisë së Tiranës nga parazitët që i janë ngjitur prej vitesh dhe thithin paratë e popullit me tubat e pluhurit të krimit”, - tha Pesha. Ai tha se Ilir Meta do të përballet me akuzat duke fituar betejën morale dhe juridike, teksa shtoi se po afron 8 maji, ditë kur do të largohen çimkat dhe mafiozët e grupuar bashkë rreth Priftit të “ngratë”. “Shqipëria as mund e as do të mund të merret peng kurrë nga montatorë videosh e mjeshtër të shantazhit modern. Shqipëria është dhe do të mbetet e shqiptarëve”, - Pesha.
BOX anash
Videoja Prifti-Meta, si u pasqyrua në mediat e huaja
Videoja e përgjimit të bisedës mes ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti dhe zëvendëskryeministrit Ilir Meta ka gjetur jehonë në shumë media të huaja, duke filluar që nga “Reuters”, “Associated Press”, media të ndryshme italiane, si dhe media të rajonit. Kështu, “Reuters” shkruan një artikull me titull “Zëvendëskryeministri shqiptar jep dorëheqjen pas akuzave për korrupsion”. Shkrimi i referohet deklaratës së Metës, sipas të cilit, dorëheqja erdhi pasi ai kërkon të përballet me organet e drejtësisë si një qytetar i thjeshtë dhe jo si një njeri i veshur me pushtet. “The Associated Press” shkruan artikullin me titull “Ish-ministri i Ekonomisë akuzon zëvendëskryeministrin për përpjekje për ryshfet”. “Agenzia Giornalistica Italia” shkruan artikullin: “Shqipëria, një video e akuzon, jep dorëheqjen zëvendëskryeministri Meta”. Lajmi është transmetuar gjerësisht edhe nga sajtet e lajmeve në gjuhën shqipe, si Zëri i Amerikës apo BBC në shqip.
Reuters:
“Zëvendëskryeministri shqiptar jep dorëheqjen pas akuzave për korrupsion”
“Jap dorëheqjen nga postet qeveritare për të luftuar kundër akuzave të bëra nga monstra Dritan Prifti”, - është shprehur Meta, i cili zuri vendin e Priftit në Ministrinë e Ekonomisë.
Xinhua:
“Zëvendëskryeministri shqiptar jep dorëheqjen pas akuzave për përfshirje në korrupsion”
“Jam këtu për të deklaruar se dorëhiqem nga postet në qeveri për të luftuar kundër fenomenit që kërcënon institucionet e Shqipërisë dhe të ardhmen e Shqipërisë”, - është shprehur Meta.
Monsters and Critics.com:
“Ministri shqiptar dorëhiqet pas skandalit të korrupsionit”
“Ministri shqiptar i Ekonomisë dha dorëheqjen të premten, pas publikimit të një video korrupsioni”
The Associated Press:
“Ish-ministri i Ekonomisë akuzon zëvendëskryeministrin për lidhje tentativë ryshfeti”
“Ish-ministri shqiptar i Ekonomisë u tha prokurorëve se zëvendëskryeministri është përpjekur të influencojë në dhënien e një tenderi me qëllim përfitime personale”.
Agenzia Giornalistica Italia:
“Shqipëria: Një video e akuzon, jep dorëheqjen zëvendëskryeministri Meta”.
“Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministri i Ekonomisë, Ilir Meta, ka dhënë dorëheqjen pas transmetimit të një videoje që e implikon në një tentativë korrupsioni”.
BBC shqip:
“Ilir Meta jep dorëheqjen”
“Ilir Meta njoftoi në një konferencë shtypi të premten në mesditë dorëheqje të parevokueshme nga posti i ministrit të Ekonomisë. Ai tha se dorëheqjen ia ka paraqitur kryeministrit Berisha. Kryeministri Sali Berisha njoftoi pak më vonë se e ka pranuar dorëheqjen e Metës”.
Zëri i Amerikës:
“Shqipëri: Zëvendëskryeministri Meta jep dorëheqjen pas publikimit të videos”
“Kryeministri Sali Berisha, i cili mbajti të njëjtin qëndrim lidhur me materialin video, vlerësoi aktin e zotit Meta”.
17 Janar 2011