Topalli- Arvizu: Reforma zgjedhore mbyllet brenda muajit
Tiranë- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuar, Aleksandër Arvizu.
Sipas një njoftimi për shtyp, mësohet se është diskutuar mbi axhendën e Parlamentit dhe punën e komisioneve gjatë kohëve të fundit.
Mësohet se kryeparlamentarja Topalli ka folur mbi Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe ka deklaruar se brenda prillit të mbyllen të gjitha çështjet, pasi kanë ngelur pa votuar vetëm pak nene.
Gjithashtu, Kryetarja e Kuvendit, shpjegoi edhe punën e Grupit të Punës për Reformën parlamentare. Ajo theksoi se Grupi i Punës ka një mandat që e detyron të punojë në modelin e Rregullores së Parlamentit Evropian dhe në respekt të Kushtetutës së Shqipërisë.
Po ashtu është diskutuar edhe mbi zhvillimet e fundit në Parlament, siç ishte dhe votimi i antarit të KLD- së.
Vizita e diplomatit amerikan ka ardhur një ditë pas takimit me kryeministrin Berisha, dhe kreun e PS- së, Edi Rama.
Kliti Topalli/ IDEA