Meta: Kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Serbinë
Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë fqinjët e vet përfshi këtu edhe Serbinë. Me një përkufizim të tillë ka dalë dje para medias ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, në një konferencë kushtuar rajonit. “Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë kanë njohur një progres të theksuar. Gjatë kësaj periudhe ka pasur disa shkëmbime vizitash. Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet fqinje. Këto marrëdhënie do të ecin përpara dhe ne shpresojmë që edhe Serbia të reflektojë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të shohë të ardhmen europiane”, theksoi Meta. Duke folur për zhvillimet e fundit rajonale dhe pavarësinë e legjitimuar të Kosovës, numri dy i qeverisë ka ritheksuar qëndrimin e Tiranës zyrtare, e cila e vlerëson statusin juridik të shtetit të ri konform të drejtës ndërkombëtare dhe një realitet të pakthyeshëm. “Statusi i Kosovës është akoma edhe më shumë jo vetëm një çështje legjitime, ndërsa diskutimi midis Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm në interes të qytetarëve dhe integrimit europian të dy vendeve”, ka nënvizuar ministri i Jashtëm shqiptar. Prononcimet e tij, por edhe të Kryeministrit Berisha, kanë fituar prej disa kohësh vlerën e një protagonizmi të moderuar në Ballkan për një çështje që kryesisht trajtohet e vendosur në kontekstin historik. Pa këmbëngulur në kërkesën për njohje të Kosovës nga Serbia, Tirana zyrtare gjithnjë e më shumë po riformulon deklaratat e veta, përmbajtja e të cilave jep mesazhin e një dialogu të hapur nga shqiptarët në Ballkan.
#