E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: Vizita e Tadiç, pas vendimit të GJND, një diversion

Intervista Flet diplomati dhe historiani i njohur: Në rrethana të tjera do të ishte i mirëpritur

Nisma e qeverisë shqiptare për të ftuar Presidentin serb, Boris Tadiç në Tiranë, në emër të një politike të re në rajon, mund të rezultojë një çështje e sikletshme. Shpërfillja e kontekstit aktual politik, që ka të bëjë me zhvillimet mbi Kosovën, e cila po trajtohet si çështje përtej marrëdhënieve dypalëshe, është për ish-zëvendësministrin e Jashtëm, historianin Pëllumb Xhufi jo vetëm një politikë pa bosht moral, por edhe një lojë e diplomacisë serbe; një opinion ky që me gjasë është bazë e një debati të munguar në Tiranë. Ky përcaktim, sipas tij, mund të kuptohet në shtjellimin e procedurës së vizitës së pritshme, e cila, edhe pse u bë publike në muajin janar, merr konfirmim menjëherë pas vendimit të GJND-së për krahinën shqiptare. Moderacioni i Tiranës zyrtare në këtë drejtim tejkalon edhe atë të faktorit ndërkombëtar, i cili sikurse nënvizon Xhufi, “ka kritika të rënda ndaj Beogradit për sjelljen e tij të tanishme”. Panorama politike shfaqet kështu identike, edhe pse politika në Shqipëri dëshiron të trumbetojë ndryshimin. Ekipi drejtues serb mbetet në deklarata dhe veprime, iniciativa dhe edukimin masiv të opinionit, i njëjti me atë të cilin e ka zëvendësuar. Duket se kanë ndryshuar vetëm mjetet dhe raporti i forcës, i cili vihet re mirë në Beograd, por nuk adaptohet mirë në Shqipëri. Por çështja “Tadiç” duket të jetë vetëm një moment domethënës, por përfaqësues i klimës sunduese në drejtimin politik në Tiranë. Kështu sipas ish-zëvendësministrit të Jashtëm, pushtetarë të Tiranës i kanë premtuar tri vendeve - Greqisë, Serbisë dhe Rumanisë, trioja që dikur njihej si Antanta e Vogël, rishikimin e statusit të minoriteteve. Rrjedhimisht, këto çështje që aktualizohen shkallë–shkallë dhe pa bujë, rievidentohen si probleme delikate, të cilat nuk mund të trajtohen përmes anashkalimit që dikton moderacioni pa rrënjë i Shqipërisë që në çdo rrethanë mbetet i vetëm në Ballkan.

Z. Xhufi, së fundmi është bërë i njohur fakti i një vizite të mundshme të Presidentit serb, Boris Tadiç, në Shqipëri. Si e gjykoni këtë vizitë të tij dhe çfarë do të nënkuptonte për rajonin rivendosja e kontakteve të tilla mes dy vendeve?

Në rrethana të tjera, një vizitë e një Presidenti, veçanërisht e një Presidenti serb, do të ishte e mirëpritur. Përfytyroni për një çast sikur z. Tadiç të kishte kërkuar falje për krimet e kryera nga Beogradi në Kosovë, sikur ai t’i kishte dorëzuar Gjykatës së Hagës gjeneralin Mlladiç dhe kriminelët e tjerë, që i kanë lyer duart me gjakun e popullit të Kosovës, shqiptarë e serbë, sikur Serbia të kishte njohur Republikën e Kosovës, ose-ose, sa për fillim, të kishte hequr dorë publikisht nga sabotimi i shtetit të Kosovës, nga krijimi i incidenteve, nga dërgimi i agjentëve provokatorë në Kosovë (që janë dhe sillen si të tillë edhe kur janë ministra e presidentë, siç është rasti i z. Tadiç), nga thirrjet për të mos shkuar në votimet e organizuara nga institucionet e Kosovës e për të mos marrë pjesë në institucionet e saj, nga lobingu plot epsh kundër Kosovës dhe kundër vetë Shqipërisë në të katër anët e botës. Do të ishte pritur ndryshe kjo ftesë për Presidentin Tadiç, sikur ky pas mendimit të dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare mbi Kosovën, të ishte bërë iniciator i një takimi midis përfaqësuesve të dy qeverive për të trajtuar e zgjidhur probleme thelbësore për krijimin e mirëbesimit e normalizimin e marrëdhënieve. Kujdes, e kam fjalën për një takim midis autoriteteve të Serbisë dhe atyre të Kosovës, jo të Shqipërisë dhe sigurisht jo për të zgjidhur çështje të zgjidhura, siç është ajo e statusit. Por për gjetur gjuhën e përbashkët mbi çështje të tilla me interes të përbashkët, që përmbahen edhe në paketën Ahtisaari, siç është ajo e njohjes dhe e respektimit të kufijve, çështjes së të humburve, të krimeve të luftës 1998-1999, të bashkëpunimit për të izoluar elementët destabilizues në Kosovë e për të ndalur rrjedhjen e tyre nga Serbia në Kosovë, të gjetjes së rrugëve për të realizuar plotësimin sa më të mirë të të drejtave të minoritetit serb në Kosovë e atij shqiptar në Serbi, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare etj., etj. Fatkeqësisht, asgjë nga këto nuk ka ndodhur. Përkundrazi, edhe pas shuplakës së ngrënë nga Gjykata Ndërkombëtare, z. Tadiç dhe delfini i tij Jeremiç, kanë paralajmëruar aksione të tjera politike, juridike, diplomatike për të zhbërë pavarësinë e Kosovës.

Për t’iu referuar intervistës së ambasadorit tonë në Beograd, Shpëtim çaushi, marrëdhëniet mes dy vendeve konsiderohen shumë të mira. Në vështrimin tuaj, sa përfaqësues është ky term për përshkrimin e raporteve mes dy vendeve dhe a duket se një karakterizim i tillë anashkalon çështjet e mbetura pezull?

Në këto kushte, unë gjykoj se z. Berisha bëri një gabim të rëndë politik kur në muajin janar paralajmëroi ftesën e tij për z. Tadiç. Sepse, siç ndodh në politikë, z. Tadiç priti ca kohë, para se të jepte përgjigje. Dhe e jep këtë përgjigje fët-e fët menjëherë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare për Kosovën dhe menjëherë pasi ai dhe qeveria e Serbisë kanë ritheksuar me akoma më shumë agresivitet vendosmërinë për të mos njohur shtetin e Kosovës. Vendimi i tij “për ta materializuar” pikërisht tani ftesën e z. Berisha, që shpresoj se është vetëm gojore, është një përpjekje për diversion, për diversion ndaj SHBA e BE, që edhe këto ditë e kanë kritikuar ashpër Beogradin për pozicionet e ngurta ndaj Kosovës dhe, konkretisht, për mospërfillje të mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të kërkuar nga vetë Beogradi e mosbashkëpunim në hartimin e tekstit të një rezolute të re për Kosovën. Por, mbi të gjitha, ardhja e Tadiçit në Tiranë në këto kushte e rrethana, do të ishte një diversion ndaj vetë shqiptarëve, ndaj Tiranës e Prishtinës. Do të ishte një rast tjetër për Beogradin për t’i përkëdhelur pushtetarët tanë, aq të dëshëruar për ta paraqitur Serbinë si vend mik, si partner i rëndësishëm, madje si “partner strategjik”, dhe për t’i thënë botës që “ne me shqiptarët e Shqipërisë merremi vesh, madje shumë mirë, problemi është tek shqiptarët e Kosovës…ata janë ndryshe”. është një lojë e vjetër, që serbët e kanë luajtur në të gjitha kohërat, edhe me Zogun, edhe me Enverin. Por këta nuk e hëngrën atë karrem. Si njëri edhe tjetri i qëndruan fort parimit që “marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë kalojnë nëpërmjet Kosovës”. Edhe Fatos Nanua, për takimin e aq përfolur në Kretë, i vuri kusht Milosheviçit që temë kryesore e bisedës do të ishte çështja e Kosovës. Këta zoqtë dhe enverët e sotshëm i bien avazit ndryshe: “Marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë do të forcohen, pavarësisht mosmarrëveshjeve që kemi për Kosovën”, ky është refreni që i dëgjojmë sa herë që kanë ndërmend të bëjnë ndonjë vizitë në Beograd, për punë të shtetit, por edhe për punët e tyre. Sigurisht, tani çështja e Kosovës është zgjidhur, por mos harrojmë që ministrat e z. Berisha e kanë artikuluar idenë antikombëtare të kapërcimit të Kosovës në marrëdhëniet Tiranë-Beograd që në vitin 2005. Unë gjykoj, që marrëdhëniet normale e të mira me Serbinë janë të rëndësishme për Shqipërinë, për Kosovën e për rajonin. Padyshim. Por nuk ekzistojnë ende kushtet për marrëdhënie “të nxehta”. është e papranueshme që komuniteti ndërkombëtar, SHBA, NATO e BE, t’i mbajnë të ngrira marrëdhëniet e tyre me Serbinë, për sa kohë kjo vazhdon të luajë rol destabilizues në rajon, duke sabotuar funksionimin e shtetit të Bosnjës dhe tani edhe të Kosovës, kurse pushtetarët shqiptarë të Tiranës harlisen kush e kush më shumë të paraqitet si mik i Tadiçit, Jeremiçit, Skundriçit të Elektrikut apo qoftë edhe të të ndjerit Xhinxhiç. Siç ka rezultuar, që të gjithë këta janë tallur me ta.

Mendoni se do të duhet që Shqipëria të kushtëzojë marrëdhëniet e veta me Serbinë me Kosovën dhe të drejtat e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit?

Për çështjen e të drejtave të shqiptarëve të luginës së Preshevës, ajo që e ka tagrin për t’u interesuar e për të kushtëzuar marrëdhëniet me Beogradin, është në radhë të parë Prishtina. E thashë, bisedimet për çështjen e shqiptarëve në Serbi dhe ajo e serbëve në Kosovë, do mund të ishte një nga temat e diskutimit midis Prishtinës e Beogradit, nëse ky vërtet do kishte dëshirën e mirë për t’i kontribuar krijimit të klimës së mirëbesimit dhe zgjidhjes së çështjeve konkrete që ekzistojnë mes Serbisë e Kosovës. Tirana mund të bënte protagonistin për çështjen e Kosovës, sa kohë që kjo ishte nën Jugosllavi e Serbi. Por kjo s’do të thotë se problemet që lidhen me shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë, duhet të humbin nga horizonti i shqetësimeve të politikës së Tiranës. Për Tiranën janë thelbësore, janë jetike marrëdhëniet me Prishtinën. Kjo është masa, me të cilën Tirana, në gjykimin tim, duhet t’i masë marrëdhëniet me të tjerët. Dihet, në vitet 1997-1999 pati një marrëdhënie të jashtëzakonshme midis Tiranës dhe Ljubljanës. Arsyeja ishte pikërisht qëndrimi i fortë e parimor i Sllovenisë ndaj problemit të Kosovës. Në këtë kuptim, para se të shkohet tek “marrëdhëniet strategjike” me Beogradin, a nuk është koha të shihen më ndryshe marrëdhëniet me partnerë të tjerë rajonalë, p.sh. me Slloveninë, Kroacinë, Hungarinë dhe sidomos tani edhe me Bullgarinë, që pikërisht në Gjykatën Ndërkombëtare i bëri një mbrojtje shumë të mirë pavarësisë së Kosovës. Me këtë vend, bashkë me Maqedoninë, na lidh edhe një prioritet “i harruar”: Korridori VIII, apo jo? Dhe mbi të gjitha, para se të shkohet në marrëdhënie të ngushta me Beogradin, le të presim ditën kur ai do tregojë me prova se do sillet ndryshe me Kosovën e me shqiptarët, në përgjithësi.

Për të hequr një paralele nga përvoja e deritanishme. Shqipëria ka pranuar që së bashku me Greqinë të rishikojnë shkrimin e historisë në ato pika që lidhen me karakterizimin ideologjik dhe nacionalist të njëri-tjetrit për t'iu përqasur më shumë një "të vërtete historike" sesa interpretimit të saj. A e shihni të realizueshme edhe për rastin serb këtë gjë? Ka nevojë për t'u riparë diçka në historiografinë tonë në këtë drejtim dhe a mendoni se klasa politike e Tiranës do ta miratojë një gjë të tillë?

Me Greqinë punët shkuan shumë më thellë se sa një rishikim i historisë: u ripanë kufijtë, u rihoqën ata sipas midesë së qarqeve nacionaliste të Athinës e në shkelje flagrante të interesave të Shqipërisë e të së drejtës ndërkombëtare. Greqisë, Serbisë e Rumanisë bashkë, asaj që dikur quhej “Antanta e Vogël” e Ballkanit, i është premtuar nga pushtetarët e Tiranës edhe rishikimi i minoriteteve. Por këto s’kanë të bëjnë me historinë, këto kanë të bëjnë me politikën, me politikën e pisët. Sa për historinë, sigurisht ajo duhet riparë, edhe në frymën e bashkëpunimit me kolegët e huaj, me kolegët serbë në rastin konkret. Unë mendoj se ka gjëra, ka mite që duhen rrëzuar. Por jam i bindur, se çlirimi i historiografisë serbe, madje edhe i shoqërisë serbe, nga miti i Kosovës “djep i Serbisë”, do të ishte kontributi më i madh që do t’i jepej paqes, mirëkuptimit e miqësisë mes serbëve e shqiptarëve në Ballkan. Do të ishte gjithashtu, kontributi më i mirë për triumfin e historisë. Ky është miti i miteve, kjo është e pavërteta e të pavërtetave. Dhe është për të ardhur keq, se bëhet fjalë për një mit të ringritur. Në shek. XIX historiografia e re serbe e filloi jetën e saj, duke çmontuar pikërisht mitin e Kosovës si “djep i Serbisë”. “është një përrallë, një përrallë e hartuar bukur” shkruante atëherë babai i historiografisë së re serbe, I. Ruvarac. Dhe ishte murg!

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›