Moisiu: PD synon të nënshtrojë Presidentin
“Mazhoranca ka synim politik për të goditur dhe nënshtruar Presidentin”. Në këtë mënyrë është shprehur ish-kreu i shtetit, Alfred Moisiu, në lidhje me revanshin e fundit të demokratëve, për argumentin se Presidenti ka shkelur apo jo dokumentin themeltar të shtetit. Moisiu mbron punën e pasardhësit të tij në debatin me Partinë Demokratike për Gjykatën Kushtetuese. “Nuk shoh asnjë shkelje kushtetuese në këtë rast. Kjo është për të ardhur keq, sepse duket qartë që është një synim politik i mazhorancës për të goditur Presidentin dhe për ta nënshtruar Presidentin e Republikës”, thotë Alfred Moisiu. Për ish-kreun e shtetit, Presidenti Topi ndodhet në mes të një sulmi nga mazhoranca që e zgjodhi 3 vite më parë, ndonëse nuk e ka shkelur Kushtetutën.
Ligji për PresidentinIdeja më e fundit e Partisë Demokratike për të bërë një ligj organik për Presidencën dhe që kërkon ndihmën e opozitës për grumbullimin e 84 votave është komentuar si hap pozitiv nga ish-presidenti Alfred Moisiu. Sipas demokratëve, i vetmi institucion që nuk ka një ligj organik është Presidenca dhe si pasojë e kësaj ka lindur ideja e krijimit të një ligji të tillë. Ish-presidenti Moisiu, megjithëse ka pesë vjet që është larguar nga detyra e kreut të shtetit, e sheh si pozitive nismën për të rregulluar me ligj veprimtarinë e këtij institucioni. Por, sipas tij, në të duhet të përfshihet edhe statusi i ish-presidentëve.
“Për gjykimin tim ky ligj nuk prish punë, të përcaktohen disa gjëra që pavarësisht se në Kushtetutë janë të njohura dhe të mirëshkruara të drejtat legjitime të Presidentit, por ka dhe gjëra që nuk janë saktësisht të caktuara, të drejtat dhe detyrat e Presidentit kur është në funksion, edhe kur largohet nga detyra”, tha ish-presidenti Moisiu.
Rasti “Kristo”Ish-presidenti Moisiu i ka bërë një rezyme çështjes së plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2007, gjatë periudhës kur ai ishte President i Republikës. Duke sjellë në kujtesë rastin “Kristo”, kur mori kryesinë e Gjykatës Kushtetuese me disa ditë vonesë nga skadimi i mandatit të paraardhësit të tij, Moisiu thotë se edhe në atë rast nuk kishte të bënte me shkeljen e Kushtetutës. “Më 2007-n, kur kishte skaduar disa ditë mandati i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe u bë gati një revoltë, më quajtën dhe që po bëja grusht konstitucional. Ndërsa me sa di unë, kryetarit aktual i ka skaduar në fillim të qershorit mandati dhe ky problem u nxeh në fund të korrikut, pra dy muaj me vonesë”, tha Moisiu. Kreut të Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, aktualisht i ka mbaruar mandati më 7 qershor 2010 dhe tashmë do të jetë shtatori muaji që do të sjellë lëvizjet e reja në Gjykatën Kushtetuese.
#