E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Kina, partnere e Shqipërisë në planin ekonomik”



Zëvendëskryeministri i Republikës Popullore të Kinës, Deijang Zhang, i cili ka mbërritur në vendin tonë në mesditë, në kuadër të vizitës treditore në Shqipëri, i ka nisur takimet e tij me zëvendëskryeministrin e vendit, njëkohësisht dhe ministër i Jashtëm, zotin Ilir Meta. Gjatë takimit mes dy përfaqësive janë nënshkruar gjashtë marrëveshje me karakter ekonomik. Në përfundim të nënshkrimeve, Meta, së bashku me Zhang, kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp. Meta është shprehur se objekt i bisedimeve dypalëshe ka qenë forcimi i bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe tregtare. Po ashtu, nga ana tjetër, zëvendësministri kinez është shprehur i kënaqur për pjesëmarrjen e tij në Shqipëri në një periudhë që përkon me 60-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Ndërsa ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunime të mëtejshme me karakter ekonomik me vendin tonë. Takimet mes zëvendëskryeministrit kinez dhe autoriteteve më të larta të vendit tonë pritet të vijojë edhe në dy ditët e ardhme.

Bumçi: “PD-ja, e gatshme të ndryshojë Kushtetutën për heqjen e imunitetit”

Partia Demokratike është e gatshme të pranojë çdo lloj propozimi të Partisë Socialiste për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë. Sipas deputetit demokrat, Aldo Bumçi, PD-ja është e gatshme të ndërhyjë me konsensusin e socialistëve edhe në Kushtetutë për të hequr imunitetin, megjithëse, sipas një interpretimi të Komisionit të Venecias, një nismë e tillë mund të ndërmerret edhe me një ligj që do të votohej nga 3/5 e deputetëve në Parlament. “Ne jemi për ta bërë për të gjithë deputetet, si një akt i Kuvendit. Morëm model ligjin gjerman, ishte një akt i Kuvendit që bënte kufizimin e imunitetit të deputetit gjerman. Ka një mendim të Komisionit të Venecias. Nëse ka vullnet, zgjidhja gjendet. Ndryshimi i Kushtetutës me një ligj me 3/5, kjo është një çështje teknike. Por, a ka vullnet nga opozita? Jo, nuk ka, sepse kur ishin në shumicë nuk e bënë dhe pse ishte kërkese e BE-së. Tani ne jemi të gatshëm që ta vendosim në pikë të parë të rendit të ditës në çdo moment që ata do të kenë vullnet”, - deklaroi Bumçi. Çështja e imunitetit të zyrtarëve të lartë u rikthye edhe njëherë në vëmendjen e debatit politik, pak dite më parë nga ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Withers, i cili deklaroi se liderët dhe zyrtarët shqiptarë duhet të veprojnë me integritet, në interes të publikut, pa u fshehur pas imunitetit apo masave të sigurisë që u cakton ligji.

30 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›