Idrizi bën betimin si deputet: “Do të votoj pro çdo ligji që ka të bëjë me integrimin”
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Shpëtim Idrizi, ka bërë dje betimin në Kuvend si deputet i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, e cila drejtohet prej tij. Në fillimin e seancës së djeshme Idrizi ka bërë betimin, duke u zyrtarizuar si deputet i Kuvendit të Shqipërisë për legjislaturën 2009-2013. Idrizi ka bërë apel për bashkëpunim midis opozitës dhe maxhorancës në Kuvend, për hir të integrimit. “Opozita nuk po e zë vendin e vet në Parlament dhe polemikat vazhdojnë duke rrënuar kapacitetet konstruktive të shoqërisë. Nuk mund ta injoroj në diskutimin tim të parë bojkotin e opozitës për shkak të pakënaqësive të saj për mënyrën si u zhvilluan zgjedhjet. Në lidhje me këtë çështje do të propozoja që të gjenden rrugët për të vendosur kontaktet midis pozitës dhe opozitës, duke iu shmangur komunikimit në distancë nga foltoret e mediave. Le të fillojnë këto kontakte jashtë Parlamentit për të negociuar zgjidhje të pranueshme për të gjithë, pra për të ushtruar pa u lodhur dhe me besim këtë art të vjetër të politikës -negociatën. Negociatë do të thotë se askush nuk ka të drejtë paraprakisht dhe se të gjitha palët duhet të lëshojnë nga pozicionet paraprake që i kanë tani”, - tha Idrizi. Ai tha gjithashtu se do të votonte pro çdo ligji që ka të bëjë me procesin e integrimit, ndërkohë që theksoi se në krye të axhendës së tij parlamentare është çështja çame. “Jam këtu për t’i dhënë çështjes kombëtare një zë parlamentar. Pjesë të kësaj çështjeje janë; njohja e Kosovës deri në integrimin në BE, zgjidhja e çështjes çame, zgjidhja e problemit të pasurive të shqiptarëve në Greqi etj.”, - u shpreh Idrizi. “Në arritjen e këtyre objektivave ne dëshirojmë të bashkëpunojmë shumë me ju, kolegë të të dy krahëve. Ne nuk jemi parti ideologjike dhe nuk kemi skrupuj për të refuzuar këtë apo atë krah. Busulla jonë është interesi kombëtar dhe në emër të tij ne do të bashkëpunojmë me të gjithë. Interesi kombëtar është para së gjithash në këtë moment përshpejtimi i integrimit europian dhe ne do të votojmë pro të gjitha atyre ligjeve që e përshpejtojnë integrimin. Ne do të mbështesim të gjithë iniciativat ligjvënëse që e përshpejtojnë zhvillimin e vendit. Por ne nuk do t’i japim asnjë shumice, sot dhe nesër, asnjë çek të bardhë, pra garanci mbështetjeje të pakushtëzuar, veçanërisht në rastet kur ne mendojmë se mund të cenohet sadopak interesi kombëtar”, - u shpreh deputeti dhe kryetari i PDU-së.
30 Tetor 2009