E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Koalicioni i majtë ka pushuar së funksionuari

Flet kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta

Z.Meta, z. Rama e ka konsideruar pjesë të politikës së vjetër qëndrimin tuaj dje. A keni ju një koment në lidhje me këtë gjë?

Mua më vjen shumë keq për shpërdorimin që i është bërë, sidomos kohët e fundit, fjalës “e re” dhe njëkohësisht lojërave të fjalëve. Në rast se është politikë e vjetër të kontribuosh, të sakrifikosh dhe të luftosh në mënyrë të hapur dhe parimore, për t’iu dhënë fund dramave elektorale dhe kontestimit të zgjedhjeve në Shqipëri, sikurse LSI ka bërë që nga dita e parë e themelimit të saj, atëherë unë dua t’iu siguroj të gjithëve që ne do të vazhdojmë deri në fund dhe nuk do të ndalemi përpara asgjëje, derisa Shqipëria të mbyllë një herë e mirë kapitullin e zgjedhjeve të kontestuara. Politikë e vjetër, realisht është ajo e prishjes së zgjedhjeve, që praktikisht për fat të keq ka realizuar lidershipi i PS-së dhe PD-së gjatë gjithë këtyre dy dekadave të tranzicionit.
Politikë e vjetër është që ta lësh reformën zgjedhore për minutën e fundit dhe me politikën e faktit të kryer t’u imponosh vendit e qytetarëve mosrealizimin e standardeve të zgjedhjeve dhe të cenosh dinjitetin e votës së qytetarëve shqiptarë. Politikë e vjetër, njëkohësisht është përdorimi i standardeve të dyfishta dhe të paprincipta që t’i thuash partisë tënde dhe elektoratit “unë e çmoj dhe e respektoj votën e çdo qytetari për të kontribuar, ndaj edhe pranoj parimin “një anëtar një votë” dhe pastaj të kërkosh t’i imponosh qytetarit shqiptar dhe partisë tënde zgjedhje me lista të mbyllura. Kjo do të thotë që t’i privosh qytetarët shqiptarë që të bëjnë zgjedhjet e tyre të lira dhe demokratike, jo vetëm midis partive dhe koalicioneve konkurruese, por edhe midis individëve, brenda çdo force politike apo koalicioni. Sepse, kjo do të thotë të kërkosh t’u imponosh zgjedhje të cilat nuk kanë të bëjnë me dinjitetin, me lirinë e qytetarëve për të zgjedhur më të mirët, më përfaqësuesit, por me imponimin e listave nga lart. Ne do të vazhdojmë pa asnjë hezitim përpjekjen tonë për një reformë të ndershme zgjedhore. Ne do të vazhdojmë, si më parë, duke bashkëpunuar me të gjithë dhe të vendosim transparencën e munguar deri tani të këtij procesi. Ju e dini shumë mirë që LSI-ja nuk u bë pjesë e megadushkut në 2005-ën dhe është e vetmja forcë politike që humbi 10 deri 15 mandate deputetësh për të mos u bërë pjesë e cenimit të dinjitetit të votës së qytetarëve shqiptarë. Ju e dini shumë mirë se në vjeshtën e 2005-ës, unë i kam kërkuar takim zyrtar edhe z. Rama, i cili sapo ishte zgjedhur kryetari i PS-së edhe z.Berisha që ishte kryeministër, me qëllim që të diskutonim në kohë realizimin e reformës zgjedhore, e cila do të na kishte ndihmuar edhe për të evituar ato situata absurde që u krijuan për zgjedhjet vendore për çështjen e certifikatave. Për fat të keq, kryetari i PS-së nuk e pranoi këtë takim për të diskutuar për reformën zgjedhore. Gjithashtu, edhe kryetari i PD-së dhe kryeministri Sali Berisha, pavarësisht që e pranoi takimin, nuk mbajti asnjë nga ato angazhime të cilat do të na kishin ndihmuar që të kishim zgjidhur të gjitha këto probleme që na janë vënë edhe nga NATO-ja si objektiva për t’i realizuar sa më shpejt, për të mos cenuar ftesën e mundshme të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO. Përsëri, ne shohim që asgjë serioze nuk është bërë deri tani. Përkundrazi, për fat të keq, ne shohim se krerët e këtyre dy forcave politike janë të vendosur për të bërë marrëzinë e radhës, që do të thotë, për t’u imponuar shqiptarëve një kod zgjedhor që do të cenojë standardet e zgjedhjeve. Aq më keq që duan ta bëjnë këtë duke e shpallur se gjoja po realizohet në emër të ftesës për t’u anëtarësuar në NATO.
A mund të më thoni ju se si mund të jetë politikë e re që të bllokosh Komisionin parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe të skadosh disa herë afatet e punës së këtij komisioni? A mund të më thoni ju si mund të jetë një politikë e re, që të mos punosh me transparencë për të realizuar një marrëveshje konsensuale dhe sa më të gjerë të mundshme me ata që deri dje i ke quajtur si partnerë të një koalicioni? A ka mundësi të më thoni se si mund të quhet politikë e re, që në mënyrë jo transparente të përjashtosh gjithë faktorët e tjerë parlamentarë dhe t’i dorëzohesh, në mënyrë tepër naive, do të thosha, zotit Berisha, për të realizuar një reformë, e cila, absolutisht, nuk ka parasysh interesat e vendit dhe interesat e demokracisë. Këto janë të gjitha ato arsye që ne na imponuan për të afirmuar qëndrimin e djeshëm, i cili jam i bindur, shënon një stad të ri për politikën shqiptare.

Z. Meta, përse pikërisht dje ju bëtë publik këtë qëndrim politik?

Me këtë rast dua të bëj të qartë se qëndrimi i djeshëm nuk është një qëndrim spontan, nuk është as ndonjë qëndrim i paravendosur prej kohësh, por është një produkt i natyrshëm i raporteve brenda atij që është njohur si koalicioni opozitar. Qëndrimi i djeshëm, sidomos lidhet me zhvillimet më të fundit të lidershipi të PS-së, i cili ka braktisur prej kohësh tryezën e koalicionit për shumë çështje, por në veçanti ajo më shqetësuesja ka qenë kjo e reformës zgjedhore. Pra, duke injoruar kërkesat e të gjithëve ne, jo vetëm të LSI-së, që të mblidhej Komisioni parlamentar i Reformës Zgjedhore dhe të përmbushte detyrimet e tij; jo vetëm të partnerëve të tjerë të koalicionit opozitar, por edhe kërkesat e faktorit ndërkombëtar, i cili ka kërkuar një reformë zgjedhore transparente dhe përfshirje sa më të gjerë të gjithë faktorëve politikë në opozitë, por edhe kërkesat e partive të tjera që nuk janë në opozitë, por janë në mazhorancë, ka reflektuar një sjellje kaq arrogante dhe kaq të pahijshme. Sepse këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me raporte ndërmjet partive, nuk kemi të bëjmë thjesht me raporte brenda së majtës apo së djathtës, por në radhë të parë kemi të bëjmë me një raport shumë të rëndësishëm të politikës shqiptare me qytetarët shqiptarë, me garantimin e së drejtës së tyre për të votuar në mënyrë të lirë dhe për të votuar në mënyrë të ndershme. Ndaj, qëndrimi që ne afirmuam dje ishte produkt i disa rrethanave, sikurse i kemi shpjeguar dje në deklaratën e kryesisë së LSI-së, ishte produkt i asaj që pas 18 shkurtit ky koalicion ka pushuar së funksionuari realisht. Edhe nëse është mbledhur, është mbledhur krejt formalisht. Njëkohësisht, ju do të pyesni dhe me të drejtë kërkoni të dini se përse ky qëndrim nuk është mbajtur më përpara.
Sigurisht që nuk ishin pjekur disa kushte. Së dyti, sepse nuk kemi pasur një rrezik kaq permanent sa aktualisht ku, në emër të gjoja marrjes së ftesës për në NATO, po shtyhet apo zvarritet mbledhja e Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe nuk po realizohet konsultimi me forca të tjera parlamentare nga lidershipi i PD-PS-së. Pra, në emër të gjoja afrimit të datës për në Samitin e Bukureshtit, kërkojnë që të realizojnë një “seancë blic”, ku të miratojnë një variant krejt të deformuar për reformën, variant i cili nuk ka asnjë lidhje me realitetin shqiptar. Ky variant është një formë tjetër e fenomenit të Megadushkut, po të kemi parasysh kushtet e Spanjës që janë komplet të ndryshme, ashtu sikurse është i ashtuquajturi variant “spanjoll”, i cili nuk është as ndonjë variant mazhoritar, nuk është as ndonjë variant proporcional, por është një variant krejt i deformuar për rrethanat tona, sepse janë të tjera kushte të organizimit të shtetit në Spanjë e të tjera në Shqipëri.
Në këtë drejtim, ne kemi vendosur të jemi shumë transparentë me opinionin publik e ta paralajmërojmë atë për rrezikun. Përpjekjet tona janë për një kod zgjedhor që jo vetëm ka për të na ndihmuar për të përmirësuar imazhin tonë, por vlen edhe për stabilitetin e mëtejshëm politik demokratik të vendit. Ne nuk do të lejojmë realizimin e një farse, e cila do të dëmtojë shumë imazhin e vendit dhe kredibilitetin e politikës shqiptare. Politika e transparencës, politika e ndershmërisë është politika më e mirë.
Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka këmbëngulur dhe nuk këmbëngul në mënyrë fikse për një sistem të caktuar, sepse nuk është ky problemi. Ne kërkojmë zgjedhje të ndershme, kërkojmë të evitojmë trafikimin e votës. Ne e kemi bërë të qartë preferencën tonë për sistemin propocional të pastër, sepse ky bën të mundur si realizimin e votës së emigrantëve atje ku janë, ashtu edhe për sa i përket barazisë gjinore që duhet në parlamentin e ardhshëm shqiptar.
Është e vërtetë që kemi firmosur një marrëveshje midis shumë partive për sistemin proporcional të personalizuar, por këtë e kemi bërë se e dimë që në fund të fundit nuk mund të kemi një sistem zgjedhor i cili të kënaqë interesat dhe kërkesat e gjithë partive. Në çdo rast do të kemi një sistem zgjedhor që do të gëzojë konsensus sa më të gjerë.

Z. Meta, lëvizja juaj politike e re, a do të jetë e hapur për mbështetësit e ish-kryeministrit Nano?

Unë dëshiroj t’iu kujtoj se ideja jonë e anonçuar tashmë është për një koalicion dhe vizion të ri. Koalicioni “E majta për integrim”, është një koalicion që vjen nga domosdoshmëria e një zbrazëtie që është krijuar në politikën opozitare, e sidomos të majtë, që është krijuar në politikën opozitare nga inekzistenca e koalicionit të mëparshëm. Lëvizja Socialiste për Integrim dëshiron t’ia bëjë të qartë të gjithë opinionit publik se, duke afirmuar idenë e këtij koalicioni të ri, nuk ka si qëllim vendosjen kundër Partisë Socialiste dhe forcat e tjera të majta. Përkundrazi, ka si qëllim që të përfaqësojë dhe të bashkojë në këtë koalicion shumë më tepër forca të majta, shumë më tepër faktorë të së majtës, shumë më tepër qytetarë, të cilët ndihen të papërfaqësuar nga lidershipi aktual i Partisë Socialiste. Jo vetëm që lidershipi i kësaj partie tregon arrogancë me aleatët të cilët i donte shumë para zgjedhjeve lokale të 18 shkurtit, por lidershipi i Partisë Socialiste është bërë ortak me Berishën, për të realizuar një reformë si vijim i reformave të mëparshme të dështuara.
Jemi të bindur që ky koalicion do të formësohet në një proces shumë të qëndrueshëm, në një proces shumë organik. Do të thosha, do të jetë vërtet një përfaqësues, një mbrojtës i interesave, jo vetëm i të majtëve, të cilët ndihen sikur janë të marzhinalizuar dhe të denigruar, por, njëkohësisht, do të jetë një shpresë për të gjitha forcat e tjera progresiste, do të jetë vërtet një përfaqësues, një mbrojtës i interesave, me qëllim integrimin e Shqipërisë sa më shpejt në Bashkimin Europian.
Reforma zgjedhore ka qenë pengesa kryesore edhe për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO, edhe për integrimin e vendit në BE. Në rast se ne këmbëngulim këtu dhe do të luftojmë deri në fund, derisa Shqipëria të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, jemi të bindur se, pa u realizuar një reformë e ndershme e transparente zgjedhore nuk mund të ketë asnjë hap më tej në të mirë të qytetarëve shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›