E Diel, 1 Nëntor 2026

Petro Koçi: Në PS ka frikë ndaj fjalës së lirë

• Qëndrimet e hapura të deputetit të Fierit, Petro Koçi, kanë krijuar reaksion në drejtues lokalë të PS-së së këtij qyteti.Gjatë mbledhjes së Asamblesë socialiste të bashkisë së Fierit, kryetari i saj, Arion Muçaj, është shprehur kundër Koçit duke e konsideruar atë të vetëpërjashtuar. “Me qëndrimet e tij si dhe me deklaratat, deputeti Koçi është vetëpërjashtuar nga radhët e PSSH-së”, është shprehur Muçaj. Ai ka thënë gjithashtu se partia që përfaqëson është e hapur dhe të gjithë anëtarët e saj duhet të kenë një qëndrim. Këtij qëndrimi të kreut socialist të Fierit i është përgjigjur menjëherë Petro Koçi, duke e konsideruar atë pjesëtar të një shoqate të përlyer me sheshet e ndërtimit të bashkisë Fier. “Shkatërrimi i vlerave morale dhe politike në PSSH ka filluar të demonstrohet edhe në organizatën e saj në Fier. Struktura drejtuese e PS në Fier, e kthyer në një shoqatë të nëpunësve të bashkisë, nuk ka kurajo dhe fuqi politike të dalë nga korrupsioni dhe gropa e një sheshi ndërtimi në lagjen “8 Shkurti” në të cilën janë përfshirë titullarë lokalë të PS”, tha Koçi.    Sipas tij, kryesia socialiste duhet të mbajë qëndrim ndaj deklaratave të tilla dhe jo të bëhet pjesë e tyre, duke instaluar frikë dhe represion në mendimet dhe deklaratat e deputetëve. “Kryesia e PSSH-së, në vend që të ndërhyjë për ta nxjerrë nga kriza morale ekipin drejtues të partisë atje, orienton një kryqëzatë puniste ndaj mendimit të lirë që bie ndesh me dogmën e ‘politikës së re’ dhe të ‘njeriut të ri’”, tha Koçi. Sipas tij, “është hera e parë që në PS ka hyrë institucioni i frikës për t’u shprehur”. “Politika e re nuk mund të jetë fotokopje shqiptare e revolucionit kulturor kinez. Tashmë është bërë e qartë se Fieri ka nevojë për një lidership të ri dhe të ndershëm socialist”, tha Koçi. Një reaksion i tillë vihet re në ato pak degë socialiste, ku deputetët kanë shprehur mendimet dhe opinionet e tyre sa herë ato bien ndesh me deklaratat e kryetarit socialit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›