E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK: Kodi që u votua, vetëm për pushtetin personal të Ramës dhe Berishës



Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka falënderuar të gjithë deputetët grevistë, personalitetet dhe qytetarët që dolën në mbështetje të grevës së urisë. Në një konferencë për shtyp, Ndoka theksoi se greva e urisë ishte një betejë fisnike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Kreu i PDK-së dënoi Kodin e ri Zgjedhor që u miratua nga PS-ja dhe PD-ja dy ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë. Ndoka tha se Kodi që u miratua nuk u shërben zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por pushtetit personal të Sali Berishës dhe Edi Ramës.
“Për fat të keq, siç e patë edhe ju mbrëmë, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, në një aleancë të turpshme kundër lirisë, votuan një kod elektoral që i shërben pushtetit personal të dy njerëzve; Sali Berishës dhe Edi Ramës. Me Kodin Elektoral të votuar mbrëmë Berisha dhe Rama na kthejnë në pluralizmin e emëruar, ku në zgjedhje kanë të drejtë të konkurrojnë dhe të votohen listat e besnikëve dhe servilëve të tyre dhe levat politike të tyre, të ngjashme me organizatat politike të Ramiz Alisë”, - tha Ndoka. Ai deklaroi se PDK-ja do të jetë pjesë e protestave popullore kundër diktaturës. Ndoka tha se PDK-ja do të jetë iniciatorja për të ringritur të djathtën shqiptare pa Sali Berishën. “Unë dua t’i garantoj sot qytetarët shqiptarë se ne tashmë kemi filluar betejën më të fuqishme politike, betejën e shenjtë për ta çliruar vendin nga mbetjet e fundit të diktaturës komuniste. PDK do të jetë në ballë të një lëvizjeje të fuqishme politike për të ringritur të djathtën shqiptare pa Sali Berishën, i cili jo vetëm ka marrë peng të djathtën prej shumë vitesh, po tashmë, në bashkëpunim edhe me tiranin e ri socialist, po përpiqet të marrë peng Shqipërinë, të ardhmen europiane të saj”, - tha Ndoka.

20 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›