E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Koha për bashkëpunim, secili të marrë përgjegjësitë e integrimit

13-11-2011 / Gazeta 55

LSI apelon për nisjen e bashkëpunimit për reformën zgjedhore

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në takimin e organizuar me strukturat e partisë në qytetin e Korçës ka ripërsëritur apelin për nisjen sa më parë të reformës zgjedhore. Meta ka theksuar se Bashkimi Europian është i qartë në kërkesat e tij, ndaj kreu i LSI-së i bën thirrje palëve për bashkëpunim. Kreu i LSI-së, ka vlerësuar se reforma zgjedhore duhet të ishte bërë para zgjedhjeve lokale të 8 majit, pasi sipas tij ajo ka qenë edhe shkak i ngërçit politik në vend që ka sjellë bllokimin e miratimeve të një sërë ligjesh në Parlament. Meta vëren se ka ligje që nuk janë miratuar prej më se dy vitesh ndaj është e nevojshme sipas tij, nisja e bashkëpunimit për miratimin e projekt/ligjeve të nevojshme.
“Janë ligje që nuk kanë lidhje me qeverinë. Këtu bëhet fjalë për ligje që ndihmojnë biznesin siç është ligji për Gjykatën Administrative. Bëhet fjalë për ligje që i shërbejnë të gjithëve. Përmenda disa nga këto elementë për të theksuar që alternativa jonë është një alternativë e cila qëndron gjithmonë me këmbë në tokë, që synon t’i shërbejë vendit, komunitetit, njerëzve dhe anëtarëve dhe simpatizantëve tanë”, u shpreh Meta.
Sipas tij, BE në deklaratat e dhëna i ka lënë të qarta mesazhet, ndaj palët nuk kanë ç’të presin më, por të nisin bashkëpunimin.
“Përpjekjet për të krijuar ngërç politik artificial nuk do ia lehtësojnë pozitën askujt. Është koha për bashkëpunim. Aktorët politikë të marrin përgjegjësitë pasi ne po punojmë për të marrë statusin në Bashkimin Europian”, ka theksuar Meta.
Në fjalën e tij Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta u shpreh se LSI është një forcë politike e cila i shërben integrimit evropian të vendit, ndërsa kritikoi PS-në se për 2 vite bllokoi aspiratën e integrimit evropian.
“Rruga jonë është e gjatë, rruga jonë është e suksesshme. Ne jemi një forcë e cila është luftuar padrejtësisht se nuk kanë dashur partitë e tjera që të ketë forca të tjera, të ketë zëra të tjerë dhe kanë dashur të kenë monopolin e jetës politike në vend, gjë e cila nuk është e drejtë. Tani eksponentë të Partisë Socialiste thonë që kanë bërë gabim atëherë e ndryshimet kushtetuese. Kanë bërë gabim atëherë sepse nuk i kanë dalë llogaritë sot. Nuk mund të ndryshohet për 2 orë një Kushtetutë që populli e ka votuar me referendum dhe me një procedurë shumë të gjatë. Nuk është se jemi kthyer ne mbrapa. Të tjerët janë kthyer pas, tek qëndrimet që ne kemi pasur dhe ne jemi koherentë në qëndrimet tona. Ne jemi për t’i shërbyer integrimit evropian të vendit. Që t’i shërbesh integrimit evropian të vendit do të thotë që t’i shërbesh stabilitetit, do të thotë t’i shërbesh mirëqenies dhe të ardhmes së të gjithë qytetarëve. Jemi krenarë që kemi një rol shumë të madh për heqjen e vizave. Kemi bërë çdo gjë për procesin e integrimit evropian. Ju e dini që ky proces ka 2 vite që nuk ka ecur përpara vetëm për arsyen sepse nuk ka dashur kryetari i Partisë Socialiste të votojë disa ligje që janë me ekspertizë evropiane. Ne jemi për t’i shërbyer integrimit evropian të vendit. Që t’i shërbesh integrimit evropian të vendit do të thotë që t’i shërbesh stabilitetit, do të thotë t’i shërbesh mirëqenies dhe të ardhmes së të gjithë qytetarëve. Jemi krenarë që kemi një rol shumë të madh  për heqjen e vizave. Kemi bërë çdo gjë për procesin e integrimit evropian”, tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Para anëtarëve të LSI-së, Meta ndau me ta rritjen spektakolare të LSI-së në zgjedhjet e 8 majit me më shumë se 40 mijë vota nga zgjedhjet e vitit 2009 është një tregues tepër pozitiv i stabilitetit të kësaj force politike, i seriozitetit të saj, i qëndrueshmërisë.
“Është një kënaqësi e veçantë që në këtë moment kur Lëvizja Socialiste për Integrim ka hyrë në procesin zgjedhor të strukturave të saj anë e mbanë vendit”, theksoi ai.
    Në Kashar, LSI-së i bashkohen 100 anëtarë të rinj/LSI anëtarësoi dje në komunën e Kasharit 100 anëtarë të rinj. I pranishëm në këtë takim, kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha se ky proces ky proces gjallërimi, rritjeje, shtimi të radhëve të LSI-së do të vazhdojë pa u ndalur me objektivin që në momentin kur ne do të mbyllim dhe të zgjedhim të gjitha strukturat e LSI-së. “Brenda pak muajsh të kemi arritur 2-fishimin e anëtarësisë në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ndaj e nisëm këtë tur këtu nga Komuna e Kasharit të cilën e kemi pasur dhe si shans si LSI-së por jemi të bindur se në fund të fundit, fati u buzëqesh atyre që punojnë. Ne kemi gjithë këta shok e shoqe, zonja dhe zotërinj të cilët janë njerëz vërtet punëtorë dhe që mbështesin këtë alternativë për ta forcuar atë më tej dhe për ta bërë një përfaqësuese të fuqishme të shpresave dhe të ëndrrave të këtij komuniteti”, tha Meta. Ai shtoi se “ne kemi treguar që jemi të angazhuar për t’i përkrahur anëtarët tanë dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Jam shumë optimist që këtu në Kashar të gjithë anëtarët që kanë punuar deri tani do të krijojnë një LSI model, një forcë shumë të madhe që do të dëgjohet fort dhe që vërtet do t’i nxisë më tej shpresat dhe dëshirat që ka ky komunitet për një jetë më të mirë dhe për tu përfaqësuar më mirë në të gjitha nivelet e qeverisjes”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›