“Shqipëria, ‘tokë e premtuar’ për zhvillimin e biznesit”
Berisha fton investitorët, pret në një takim “Presidentët e rinj të kompanive”
Në pritjen e organizuar për “Presidentët e rinj të kompanive”, kryeministri Sali Berisha u shpreh se, “Shqipëria po bëhet më përgjegjëse për investimet e huaja dhe vendi më tërheqës për to”. Ai tha se ndien admirim për pjesëmarrjen e të rinjve në kompani, ku theksoi gjithashtu se liria fiskale në vendin tonë është vendimtare.
Sipas tij, licencat dhe lejet jepen në “One Stop Shop” dhe brenda një kohe shumë të shkurtër, ku nënvizoi se në Shqipëri janë krijuar të gjitha lehtësirat duke e bërë vendin sa më miqësor për investitorët pasi janë hequr të gjithë pengesat burokratike.
“Vendi që ishte me i kolektivizuari tani është me i liri, tani është më privati. Vendi që kishte burokracinë më të keqe, tani renditet ndër 10 vendet me administratën me të vogël në botë. Vendi, qytetarët e të cilit punonin për shtetin të paktën 7 muaj, për momentin ka barrën më të ulët fiskale në Evropë. Shqipëria po përpiqet të bëhet gjithmonë e më shumë vendi më tërheqës për investimet e huaja direkte. Në këtë kontekst, ne besojmë se liria fiskale është themelore. Unë jam kardiolog, në politikë hyra pa asnjë njohuri për sa i përket politikave fiskale, por kam qenë një admirues i Ronald Reagan. Reagan ishte idhulli ynë, në kohët komuniste, sepse ishte kampioni, që luftonte kundër komunizmit. Kur fituam lirinë, mora librat dhe tezat e tij, dhe kushdo që e ka lexuar, ai shkruan pothuajse në mënyrë holistike, mbi ekonominë, mbi reformat, dhe një prej postulateve të tij është se paraja në llogaritë e individëve privatë ka më shumë vlerë se në llogaritë e qeverisë. Kështu, pasi u bëra President vendosa barrën më të ulët fiskale në këtë vend dhe vendi u bë një vend me rritje ekonomike dy shifrore, në atë kohë ishte i vetmi. Unë e humba pushtetin në 1997, sepse lulëzuan skemat piramidale dhe dola në opozitë. Mbajta një princip, qeveria nuk ishte e përfshirë në skemat piramidale, por çështja ishte: duhet të paguajë qeveria paratë e humbura apo jo? Rivali im i tha shqiptarëve se do të paguaj çdo qindarkë, unë u thashë që nuk mund të paguaj asnjë, më vjen keq, ju i humbët paratë, por një borxh që nuk është i huajtur nuk mund të njihet kurrë, nuk mund të paguhet kurrë, kjo është e vjetër po aq sa njerëzimi. Kështu kalova në opozitë. Shqiptarët ishin të inatosur, por hap pas hapi e kuptuan që ruajta moralin e tyre, dhe ata më rivotuan”, u shpreh Berisha.
Kryeministri garantoi se Qeveria ka përjashtuar nga taksat çdo investues që do të investojë në turizmin malor.
“Pasi u ktheva në pushtet, iu riktheva principeve të mia. Vendosa taksën e sheshtë 10 për qind, ula taksën e korporatave nga 25 në 10 për qind, ulëm taksat e të ardhurave personale nga 23 në 10 për qind, kështu u bë edhe për kontributet e sigurimeve shoqërore nga 32 në 15 për qind, hoqëm dhjetëra e dhjetëra tarifa. Vendi ka lartësinë mesatare mbi nivelin e detit më të lartë në Europë. Nuk kemi majat më të larta, por kemi shumë male që na ngrënë deri në qiell. Kemi një bregdet të gjatë dhe platforma ere natyrale, që padyshim po bëhen prodhues shumë të rëndësishëm të energjisë së erës. Vendi është një nga vendet më me diell në rajon, dhe energjia diellore është një tjetër potencial i jashtëzakonshëm. Ambicia e qeverisë sonë është për t’u bërë e gjelbër, ‘Go green’. Vendi do të shndërrohet në një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon. Vendi ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik, bregdetin më të bukur që mund të keni parë, Bregdetin e Jonit. Në këtë periudhë ju e keni humbur sezonin turistik, por uroj të vini sërish dhe të vizitoni këtë bregdet shumë të bukur. Nuk ka ujë më të qartë kristal, ku lahen zinxhirët e maleve në jug. Adriatiku është ranor, është segmenti më i mirë i Adriatikut në krahasim me vendet e tjera. Malet janë të virgjër, janë duke pritur për investitorë. Një ligj i ri do të përjashtojë nga çdo lloj takse, investitorët që do të investojnë në malet tona për një periudhë 8 vjeçare. Kemi kaluar Parlament një ligj mbi pronësinë, investitorët e huaj, që do të blejnë tokën bazuar në dokumente origjinale shtetërore nuk do të përballen më me pretendimet e të tretëve. Kështu padyshim shpresoj që t’i vendosni ëndrrat tuaja në këtë vend, dhe ëndrrat tuaja të bëhen realitete të mëdha, të suksesshme. Qeveria ime do t’ju mbështesë plotësisht dhe do të jetë një histori suksesi. Nuk njoh investitorë që kanë humbur në këtë vend”, tha Berisha, duke ftuar investitorët.