E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës i hap rrugë ndërtimit të Xhamisë së Madhe

13-11-2011 / Gazeta 55

Pas miratimit në këshillin bashkiak, projektit të ndërtimit të Xhamisë së Madhe, tashmë i është hapur rrugë pas një kalvari zvarritjes dhe burokracish prej 2 dekadash. Në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak të Tiranës, u miratua dhe ngritja e komisionit për ndërtimin e Xhamisë së Madhe, një premtim që kryebashkiaku Basha i bëri besimtarëve të kryeqytetit, gjatë fushatës elektorale. “Kjo çështje, tashmë në bashkinë e Tiranës është aktualitet, pra është një çështje që po zhvillohet dita-ditës. Kjo është shumë e rëndësishme për sa i përket ndërtimit të kësaj xhamie. Dhe ne, qoftë bashkia apo dhe komuniteti mysliman, të bëjmë më të mirën për ndërtimin e kësaj xhamie”, u shpreh dje një deklarate për mediat, komuniteti mysliman i Tiranës.
Xhamia e re parashikohet të ndërtohet në zonën e njohur si “Namazgjaja”, që ndodhet pas ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë. Kjo xhami nuk do të jetë thjeshtë një objekt kulti, por një kompleks multi-funksional, ku do të përfshijë krahas xhamisë, një qendër kulturore, bibliotekë, salla konferencash. Nevojën për një xhami në qendër të Tiranës, komuniteti mysliman e arsyeton me faktin se brenda qytetit funksionojnë 7 xhami të vogla, të cilat nuk përmbushin mjaftueshëm nevojat e besimtarëve.
“Toka që ne posedojmë është rreth 5 500 m2. Ne jemi dhe në negociata me pronarët që kanë tokën rreth truallit të ‘Namazgjasë’ që ne posedojmë, në mënyrë që të kemi një tokë sa më dobishme për ndërtimin e kësaj xhamie. Njëkohësisht, bashkë me Bashkinë e Tiranës, po merremi edhe me organizimin e konkursit porsa i përket projektimit të xhamisë”, shprehen drejtues të këtij komuniteti.
Projekti i ndërtimit të kësaj xhamie daton në vitin 1993. Truallit të “Namazgjasë” i është marrë një hapësirë e konsiderueshme nga zgjerimi i rrugëve të unazës dhe asaj George W. Bush, e cila mbeti pa u kompensuar nga Bashkia e Tiranës.
Në kompensim të kësaj sipërfaqe, Këshilli i Ministrave vendosi në 6 prill 2011, që t’i japë komunitetit mysliman të Shqipërisë, një sipërfaqe prej 2 575 m2, duke e çuar sipërfaqen e përgjithshme në rreth 5 300 m2. me këtë sipërfaqe më të madhe, pritet të realizohet një konkurs për realizimin e projektit më të mirë, për ndërtimin e xhamisë së shumë pritur prej kohësh.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›