“Historianët të shkruajnë të vërtetën siç është, të mos ndikohen nga propaganda”

Kryeparlamentarja Topalli nderon të vrarët nga regjimi diktatorial
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ishte dje në Pogradec për të nderuar dy të rinjtë Mark Toçi dhe Skënder Çela të pushkatuar pa gjyq, në dhjetor të vitit 46 nga regjimi barbar komunist. Pas kërkimeve shumëvjeçare të aktorit të mirënjohur Mirush Kabashi, nip i Skënder Çelës, të gazetarit Fatos Baxhaku e autoriteteve vendore, eshtrat e dy të rinjve nuk janë mundur dot të gjenden. Pranë memorialit të ngritur në nderim të dy të rinjve, Kryetarja e Kuvendit tha se “kjo ditë është një ditë kujtese pas 65 vitesh”. “Një ditë kujtese e mbushur me dhimbje të forta, jo vetëm për familjarët e këtyre dy të rinjve, por për të gjithë ne. Kjo ditë është në kujtim të sakrificës së nënës, motrave të tyre, dhe gjithë atyre që kanë përjetuar terrorin dhe represionin, që ai sistem solli në këtë vend”, u shpreh Topalli.
Kryeparlamentarja theksoi se dy të rinjtë u ekzekutuan nga regjimi komunist sepse ata besonin te liria, te ëndrra “Shqipëria e lirë”. “Dy të rinj, që kishin të drejtë të besonin ëndrrën e një Shqipërie të lirë, e një Shqipërie të bukur, një Shqipërie të drejtë. Por që në fakt një natë në terr, në pabesi, pa gjyq dhe me plumba pas shpine, përfundojnë të hedhur diku, pak kilometra më tej. Sot është një ditë kujtese, por është edhe një ditë nderimi me përulje ndaj dy djemve të rinj, dy studentëve që kishin bërë shkolla të mira. Ata mendonin që duke studiuar t’i shërbenin më mirë vendit të tyre. Nderim Skënder Çelës dhe Mark Tocit, për veprën e tyre, një vepër që u ngrit mbi sakrificën e jetës së tyre. Por nuk u ndal këtu. Do të ishte sakrifica e nënave, motrave dhe vëllezërve të tyre, do të ishte një dhimbje që do të thërriste, do të ishte një dhimbje që do të zgjaste me vite përmes internimeve të familjes së tyre”, theksoi Topalli.
Kryetarja e Kuvendit gjeti rastin tu bëjë dhe njëherë thirrje historianëve, ta shkruajnë historinë ashtu siç është në të vërtetë, pa u ndikuar nga propaganda politike.
“Unë vazhdimisht i kam ftuar ata që kanë për detyrë të shkruajnë historinë, ata që kanë dëshmi, ata që kanë diçka për t’i treguar këtyre të rinjve që janë këtu sot, bashkë me ne dhe që duhet të dëgjojnë për terrorin e asaj periudhe. Shkruani historinë, e mos u ndikoni nga çfarë themi ne. Mos u ndikoni nga asnjë lloj propagande, por shkruani atë që është e vërtetë. Të vërtetën!. Ne duhet të jemi të vërtetë me të vërtetën e historisë tonë! Ne duhet të jemi të vërtetë me fëmijë tanë; ne duhet të jemi të vërtetë me vendin tonë. Unë sot i jam mirënjohëse pa fund Mirush Kabashit që një ditë më telefonoi dhe unë pata nderin ta takoj në zyrën time. Ai më tregoi historinë e Mark Tocit dhe Skënder Çelës. Unë dua ta falënderoj zotin Kabashi dhe Fatos Baxhakun për punën që kanë bërë për të bërë të mundur që sot të kemi një memorial. Një memorial i thjeshtë që thotë shumë. Një memorial që ja kishim borxh dy të rinjve. Unë sot falënderoj dhe ish Presidentin e asaj periudhe Sali Berisha që i dha titullin ‘Martir i Demokracisë’ Skënder Çelës e Mark Tocit. Në fakt, ky memorial nuk është vetëm memoriali i këtyre dy të rinjve. Është memorial për të gjithë ata që gjatë asaj periudhe, pabesisht, paburrërisht në mënyrën më çnjerëzore janë vrarë dhe eshtrat e tyre ende ndoshta nuk janë gjetur. Unë sot dua t’i shpreh jo vetëm dhimbjen, por edhe gjithë mbështetjen të gjithë familjarëve”, deklaroi më tej, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Kuvendit i dhurohet nga Senati italian një kolanë me botime të rëndësishme të jurisprudencës dhe Shkencave Politike/Kuvendit të Shqipërisë iu dhurua dje një kolanë me botime të rëndësishme në fushën e jurisprudencës, procedurave parlamentare dhe të shkencave politike, nga Senati Italian. Ceremonia e dhurimit u krye nga ambasadori Italian në Tiranë Saba D’Elia dhe Nënkryetari i Parlamentit Adrian Turku në seminarin “150 Vjetori i bashkimit të Italisë dhe 100 Vjetori i Rilindjes së Shqipërisë, roli i arbëreshëve: Pasquale Scura e Terenç Toçi”. Ky seminar u organizua në kuadër të Panairit të librit që po mbahet në Tiranë. Dhurimi i librave të Senatit Italian, për Kuvendin e Shqipërisë u bë në nderim të figurës Paolo Petta, funksionar arbëresh i Senatit.