Meta: Konsensus për miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë
Kreu i LSI-së Ilir Meta deklaroi nga Brukseli se pjesa më e madhe e 12 prioriteteve për marrjen e statusit kandidat janë realizuar. Sipas tij, nevojitet konsensus dhe vullnet që edhe çështjet e mbetura, si miratimi i ligjit për Gjykatën e Lartë dhe miratimi i rregullores së procedurave parlamentare, të zgjidhen në ditët në vazhdim që Shqipëria të marrë një përgjigje pozitive nga Brukseli.
I pyetur në lidhje me deklaratat e komisionerit për zgjerim Stefan Fyle, Meta theksoi ai u shpreh inkurajues për vazhdimin e zgjerimit, natyrisht bazuar në meritat individuale të çdo vendi.
Kreu i LSI-së, Meta është pyetur nëse ka pasur një takim të posaçëm mes tij dhe kreut të PS-së Edi Rama për të cilën u përgjigj se ndodhej në Bruksel për tu takuar me të gjithë drejtuesit e partive socialiste dhe socialdemokrate të Ballkanit e të Europës dhe është normale që të takohet edhe me kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ndodhet në Bruksel, ku po merr pjesë në punimet e Kongresit të Partisë Socialiste Europiane, me ftesë të liderëve të PSE-së. Gjatë fjalës së tij në takimin e mbajtur mes socialistëve europianë për Ballkanin z. Meta deklaroi se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian.