E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Kontributi i opozitës është i nevojshëm

Mazhoranca dhe opozita duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për të nisur dialogun. Kjo ishte thirrja që bëri dje zëvendëskryeministri, njëkohësisht kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në një konferencë për shtyp. Sipas Metës, kontributi i opozitës bëhet edhe më i nevojshëm në kushtet kur Shqipëria po ecën me shpejtësi në rrugën drejt integrimit europian. "Gjej rastin që të ftoj lidershipin e Partisë Socialiste dhe forcat e tjera politike opozitare që të përfshihen në këtë proces në mënyrë konstruktive, sepse unë besoj se kanë dhe mundësitë, aftësitë edhe kapacitetet për të kontribuar, për të qenë një vlerë e shtuar dhe e domosdoshme e gjithë këtij procesi", deklaroi Meta. Sipas tij, vullneti i mazhorancës dhe ofertat e saj për bashkëpunim kanë qenë gjithmonë konkrete dhe pozitive. Kreu i LSI-së shtoi edhe se dialogu është një proces shumë më i gjerë sesa thjesht dhe vetëm Parlamentit dhe kërkon më shumë se një palë për t‘u zhvilluar. Por sipas Metës, dialogu duhet të bazohet mbi respektin e shtetit ligjor, ndarjen dhe pavarësinë e pushteteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›