Meta: Kriteret teknike, progresi ynë është i padiskutueshëm
Liberalizimi i vizave për Shqipërinë është i sigurt dhe i shpejtë. Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka rikonfirmuar dje qëndrimin e Tiranës zyrtare rreth këtij problemi që po kthehet dita-ditës në një nga debatet kryesore politike. Duke folur me rastin e prezantimit të dy drejtuese të rinj të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, si sekretar i përgjithshëm dhe Ardit çela, si sekretar i marrëdhënieve me publikun, numri dy i qeverisë nuk ka munguar që të prononcohet për vizat me vëmendjen kryesore te raporti i fundit i Brukselit, i cituar nga media. “Unë mund të them se çdo raport do të bëhet publik në kohën e duhur. Gjithashtu dua të siguroj se në çdo rast vlerësimi për Shqipërinë do të jetë një vlerësim shumë pozitiv, për shkak të progresit të jashtëzakonshëm që Shqipëria ka bërë për plotësimin e detyrimeve”, u shpreh ai. Garanci dhe siguri që gjithsesi nuk janë të shoqëruara me ndonjë informacion shtesë që do të legjitimonin qëndrimin optimist që po emetohet në vijimësi nga institucionet shqiptare. Një arsye më shumë për plotësimin e deklaratave politike me elemente informative është edhe raportimi i përditshëm mediatik, që ka ofruar raporte të KE-së, ku ecuria për vizat nuk përshkruhet vetëm si pozitive. Në lidhje me këtë kontribut të medias, ministri i Jashtëm i Shqipërisë ka preferuar që të mbajë me publikun një marrëdhënie që ka si premisë fillestare përgënjeshtrimin e informacionit mediatik, por edhe një akuzë për keqpërdorim dhe dashakeqësi. “...Më vjen keq kur shoh se edhe një pjesë e medias, për të cilën kam respekt, bëhet viktimë e titujve të porositur me keqdashje në dëm të këtij procesi dhe të imazhit të Shqipërisë. Pra dua të siguroj se progresi është i padiskutueshëm dhe nuk mund të evitohet në asnjë lloj raporti që do të jetë publik”, vijoi zv.kryeministri Ilir Meta. Ai ka dhënë një përgjigje edhe rreth implikimit që mund të ketë në vendimmarrje procesi elektoral në Bosnjë-Hercegovinë, që ka nxitur hamendësimet për një shtyrje të liberalizimit. Sipas tij, lëvizja e lirë varet në një masë të madhe nga kritere teknike, që nga pala shqiptare janë plotësuar. “Lidhur me të gjitha kriteret teknike, absolutisht unë jam i bindur se suksesi do të jetë i padiskutueshëm dhe i evidentuar shumë qartë”, tha Meta. Të paktën sipas këtyre deklarimeve suksesi është i padiskutueshëm dhe se në këtë kontekst dyshimet apo zhurma që zë fill nga shtypi është i pabazë. Për efekt vlerësimi të informacionit mediatik, i cili i ka paraprirë deri diku edhe raportit që qeveria po mban me publikun për këtë problem, mund të gjykohet nga përgjigjja e ministrit për krahasimin e supozuar mes Shqipërisë dhe Bosnjës, ku kjo e fundit rezulton të jetë një hap përpara. “...Ne jemi të bindur që vlerësimi do të jetë pozitiv dhe evidentimi i progresit do të jetë shumë i qartë... ne nuk mund të komentojmë asnjë lloj raporti, apo dokumenti, i cili nuk është bërë publik dhe zyrtar, sepse kjo nuk është etike”, deklaroi Meta.
#