Nxënës dhe prindër në protestë, kërkojnë siguri në shkollë
Prindër dhe nxënës të shkollës 9-vjeçare “Kristaq Shtëmbari” në qytetin e Fierit kanë protestuar dje për rrezikun që u kanoset nga rruga pranë shkollës. Sipas tyre, në këtë rrugë mungon jo vetëm sinjalistika vertikale dhe horizontale, por edhe shërbimi i policisë së rendit dhe asaj bashkiake. Shkolla “Kristaq Shtëmbari” është një nga shkollat më të reja në Fier, e cila ka nisur të ndërtohet rreth katër vjet më parë. Shkolla ndodhet përgjatë rrugës “Skënderbej”, rrugë kjo që njihet si unaza veriore e qytetit të Fierit. Porta kryesore e shkollës përkon me bulevardin e ngushtë të unazës, ku shumica e makina të tonazhit të lehtë dhe të rëndë ecin me shpejtësi të madhe. Gjatë dy viteve që kjo shkollë është çelur ka qenë një rrezik i dukshëm për nxënësit. Për pasojë prindërit detyrohen t’i shoqërojnë vetë fëmijët në shkollë, ndërsa disa prej tyre e kanë zgjidhur transportin dhe sigurinë e fëmijëve me një furgon, të cilin e paguajnë që t’i marrë fëmijët në portën e shkollës.
“Kërkojmë sinjalistikën dhe shërbim policor. Këto janë dy kërkesat tona, s’kërkojmë ndonjë gjë të tepruar”, ka thënë Ilir Veizi, njëri prej prindërve. Fëmijët që kanë qenë të pranishëm në protestë kanë treguar se kanë frikë të dalin nga porta e shkollës, për shkak të makinave. Ndërkaq, drejtuesit e shkollës shprehen se janë në dijeni të rrezikut dhe së bashku me prindërit dhe nxënësit edhe ata vetë ndihen të rrezikuar. Drejtuesit e shkollës tregojnë se i janë drejtuar bashkisë së qytetit për sinjalistikën e munguar. Kurse në bashki na thonë se punimet në unazën e qytetit ende nuk kanë përfunduar dhe që prej tre vitesh, qeveria nuk po jep fondin tjetër të investimit, i cili parashikon vendosjen e sinjalistikës dhe përfundimin e asfaltimit.
#