E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg për grabitësin e banesës së prokurorit

Historia Arben Guçaj është vënë nën akuzë pasi grabiti sende me vlerë në banesën e një përfaqësuesi të akuzës së kryeqytetit

Grabiti banesën e një prokurori, arrestohet dhe izolohet 20-vjeçari. Arben Guçaj është ndaluar disa ditë më parë në qytetin e Fierit pas një investigimi të Prokurorisë së Tiranës, e cila e gjurmoi grabitësin dhe më pas, duke siguruar të gjitha provat, e ndaloi, duke i komunikuar akuzën e “vjedhjes më shumë se një herë”. Bastisja e shtëpisë së përfaqësuesit të akuzës së kryeqytetit ka ndodhur në datën 9 janar pranë Librit Universitar në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Autori kishte disa orë që kishte mbushur 20-vjetorin dhe për ta festuar më së miri ndërmerr një nisme të guximshme: të bastisë shtëpinë e një prokurori. Me këtë guxim, mëngjesin e datës 9 janar, shkon në pallatin pranë Librit Universitar dhe, duke përdorur mjete rrethanore, e gjen veten në dritaren e aneksit të apartamentit e cila, për fat të grabitësit ishte lënë hapur. Me zgjuarsi dhe pa bërë zhurmë kontrollon një pjesë të shtëpisë, në të cilën ndodheshin katër pjesëtarët e familjes: prokurori me bashkëshorten, si dhe prindërit e tij. Pa iu dredhur qerpiku kontrollon aneksin dhe kuzhinën dhe merr prej andej me radhë sendet e çmuara si telefon celular, dy orë dore, si dhe unazat e bashkëshortes së prokurorit. Duket se këto sende nuk i kanë mbushur syrin grabitësit i cili vazhdon të kontrollojë rrobat. Në xhepin e një palë pantallonave “gjen” rreth 250 euro dhe vazhdon të kontrollojë për më tepër. Kontrollon sërish dhe gjen në një portofol rreth 30 mijë lekë të vjetra. Kartëmonedhat e kanë ngrohur paksa grabitësin i cili, pa u ndier nga katër pjesëtarët e familjes, vazhdon rrugën e daljes, andej nga kishte ardhur, nga dritarja e aneksit. Duke u kacavjerrë e shikon vetën në rrugicat e ish-bllokut dhe duke qenë agim nuk pikaset nga asnjë dëshmitar. Gabimi i parë i grabitësit vjen në momentin që telefonit të grabitur i heq kartën që kishte gjetur brenda dhe i fut kartën e tij dhe më pas vazhdon i qetë të festojë ditëlindjen. Në mëngjes, familjarët e prokurorit pikasin bastisjen dhe lajmërojnë uniformat e policisë, të cilat marrin gjurmët duke filluar hetimet. Pas verifikimesh të gjata hetuesit e Prokurorisë së Tiranës vihen në gjurmët e grabitësit, teksa e kanë pikasur se lëvizte në aksin Vlorë-Fier. Me një mashtrim, ata e kanë ftuar dhe i kanë komunikuar akuzat. Dy ditë më parë 20-vjeçari është paraqitur për masë sigurimi në Gjykatën e Tiranës ku dhe ka pranuar grabitjen që ka realizuar. Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës deklaron se Arben Guçaj dyshohet se ka grabitur edhe një banesë tjetër në Tiranë, ndërsa Gjykata e Vlorës e kishte dënuar me një vit burg për vjedhje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›