E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Kryeministri, ndër trafikantët më të mëdhenj të Ballkanit

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim komentoi dje sensibilitetin e mediave lidhur me personin e ndaluar në Bosnjë. Por, sipas Metës, të gjithë e kanë parë Fazlliç, në shumë ekrane televizive në krah të Kryeministrit Berisha, madje edhe të denoncuar nga një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Berishës, zoti Baze, edhe publikisht. "Kjo tregon qartë se Berisha është tashmë një ndër trafikantët më të mëdhenj të këtij rajoni lidhur me trafiqe nga më të ndryshmet", u shpreh Meta. Njëkohësisht, shtoi ai, lidhje të tilla nuk kanë asnjë shkak që ka të bëjë me integrimin evropian, apo me ftesën për anëtarësimin në NATO. "Pra, janë thjesht lidhje aferash, biznesesh dhe me sa duket edhe pastrim parash", ngulmoi ai. Ish-kryeministri bëri thirrje për çdo përpjekje demokratike, institucionale për largimin e Berishës nga posti i Kryeministrit. Meta u ndal edhe te fushata elektorale e Kryeministrit, që sipas kreut të LSI-së, me turin e tij grotesk të inaugurimeve të rrugëve e ujësjellësve të fshatrave, ka qëllim që t‘i gënjejë përsëri shqiptarët për punët që gjoja ka bërë e që do të bëjë qeveria e tij. Berisha, u shpreh Meta, duhet t‘u tregojë shqiptarëve, e veçanërisht atyre në zonat rurale e malore, se përse Shqipëria vazhdon të ketë rreth 50 për qind të popullsisë së saj në nivelin e varfërisë dhe 25 për qind të kësaj popullsie nën minimumin jetik. "Ai duhet t‘u thotë atyre se përse varfëria në këto zona është sa dyfishi i mesatares së vendit, se përse varfëria në fshat është dyfishuar nga viti 2002, në krahasim me varfërinë në qytete, në vend që të reduktohej", theksoi Meta. Dhe pak javë na ndajnë nga dimri që po vjen, konstatoi ai, e nuk ka asnjë përpjekje të përgjegjshme të kësaj qeverie për ta menaxhuar krizën e energjisë, sektor i cili vazhdon të thellohet si një gropë e zezë në buxhetin e shtetit. "Sali Berisha duhet t‘u flasë fshatarëve e fermerëve vendas, se përse qeveria e tij e ka lënë sektorin jetik të bujqësisë në mëshirën e fatit, me investime që zënë vetëm 0.54 për qind të GDP-së dhe me asnjë politikë që të rrisë konkurrencën e prodhimit vendas", vlerësoi Meta. Ai i bëri thirrje Kryeministrit t‘u flasë shqiptarëve se përse deficiti tregtar ka arritur në nivele rekord prej 29 për qind e GDP-së, për deficitin e jashtëzakonshëm buxhetor në nivelin e 7.3 për qind të GDP-së dhe për nivelin e ulët të investimeve publike në nivel 33 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›