E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Si po e luftojmë krimin e organizuar në Ballkan"

Drejtuesi i Policisë Evropiane, Europol, Max-Peter Razler, deklaroi se po punohet ngushtë me policinë shqiptare dhe me të Ballkanit për "gjuetinë ndaj baronëve të krimit në rajon, duke intensifikuar bashkëpunimin. Duke folur për "Shqip", Razler theksoi se edhe pse në Shqipëri e Kosovë ka një rënie të kriminalitetit, ekziston një bashkëpunim i fuqishëm për të luftuar krimin dhe për të prerë lidhjet e tij me biznesin dhe shoqërinë. Sipas shefit të Europol-it, "kemi një bashkëpunim të mirë në luftën kundër krimit të organizuar me Shqipërinë, si dhe me kolegët tanë evropianë të EULEX-it në Kosovë". Ashtu siç ka vepruar me disa vende ballkanike, edhe me Tiranën zyrtare Europol ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi. Sipas drejtuesit të policisë së BE-së, Max-Peter Razler, "këto aktivitete bashkëpunimi janë të përqendruara kryesisht në këmbimin e informacioneve me kolegët tanë të drejtësisë, në misionin tonë në luftën kundër krimit të organizuar". Sekretari i përgjithshëm i Europol-it shpreh një optimizëm të rezervuar për sa i përket rënies së krimit të organizuar në rajon, që, sipas tij, ende duhet bërë shumë, për të pasur një situatë stabël dhe të kënaqshme në luftën kundër kësaj dukurie. Për sa i përket terrorizmit ndërkombëtar, sipas njeriut numër një të Europol-it, kërcënimet e terrorizmit në Evropë ende mbeten të larta. Rreth parandalimit të krimit të organizuar dhe terrorizmit ndërkombëtar, drejtuesi i Europol-it, Ratzler, thekson se detyrë për komunitetin ndërkombëtar mbetet zbatimi i ligjit dhe bashkëpunimi i ndërsjellë në rrethana të besimit për këmbimin e informacioneve dhe analizave për të gjitha llojet e krimeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›