Meta: Kryeministri në ikje të mos prekë zgjedhjet e 28 qershorit
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, i bëri apel nga Elbasani kryeministrit Berisha të mos prekë zgjedhjet. "Kryeministri aktual që është në largim z.Berisha, të mos prekë zgjedhjet e 28 Qershorit. Ne nuk do ta lejojmë, sepse ai e ka bërë njëherë këtë gabim të rëndë me pasoja tragjike 96-97, sepse sot Shqipëria është anëtare e NATO dhe ka për detyrë të garantojë zgjedhje të ndershme dhe të lira jo vetëm për hir të së ardhmes së vet", tha Meta. Këtë deklaratë kryetari i LSI-së e bëri gjatë një takimi të zgjeruar me anëtarë dhe simpatizantë, por dhe qytetarë të Elbasanit në Pallatin e Sportit 'Tomorr Sinani'. Në këtë takim Meta shoqërohej nga sekretari politik i LSI-së së Elbasanit, Bujar Kllogjeri, nga Kryetari i degës së LSI në Elbasan, Pjerin Xhuvani, analisti i mirënjohur Artur Zheji dhe nga presidenti i Sindikatës së Pensionistëve, Isa Gorica. "Nuk është më koha e premtimeve të përsëritura dhe të pafund,- tha Meta, -është Koha për veprim. "LSI ka alternativat e saj, ka projektligjet e saj. Është e gatshme që të drejtojë dhe të qeverisë që në 29 qershor. Shqipëria nuk ka më nevojë për eksperimente. Shqipëria nuk ka më nevojë për të humbur kohë. Shqipëria e ka zgjidhjen e saj", u shpreh Meta. Gjatë fjalës së tij, Meta u fokusua tek shqetësimet, që vijnë për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ne dëgjojmë sot u shpreh Meta shqetësimet e drejta që kanë të bëjnë me zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme më 28 qershor. Por LSI i ka ngritur këto shqetësime, që përpara një viti, sikurse është dhe shqetësimi për rrezikun e mospajisjes më karta identiteti të dhjetëra-mijëra qytetarëve shqiptarë. "Të gjitha këto nuk janë probleme të reja, por janë shqetësime, të cilat ne i ngritëm të parët, sepse kjo ishte arsyeja përse ne i kërkonim vazhdimisht të dy partive të tjera, që të bëhej Kodi Zgjedhor në kohën e duhur, që të bëhej në mënyrë transparente, që të kishim kohën e duhur për të plotësuar të gjitha standardet e kërkuara për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, përfshirë dhe kartat e identitetit. Koha tregoi se shqetësimet tona ishin të drejta", tha Meta. a.l