Xhufi: Jo bojkot, duhet presion në Kuvend
Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Pëllumb Xhufi tha dje se çështja e bojkotit duhet të shihet me kujdes, pasi opozita duhet të bëjë presion në Kuvend ndaj qeverisë për çështjen e kartave. “Ne do të shfrytëzojmë të gjitha tribunat dhe parlamentin për të bërë presion mbi qeverinë për të pajisur shtetasit me karta identiteti falas, me qëllim që ata të zbatojnë detyrimin e tyre kushtetues të votës. Në këtë aspekt edhe politika e bojkotit duhet parë me kujdes, pasi në këtë mënyrë i hiqet mundësia opozitës për të bërë presion ndaj qeverisë për këtë proces”, tha Xhufi. Kreu i grupit parlamentar të LSI-së tha se mbështet vendimin e deputetëve të PS-së, dhe shprehet se kërkesa për karta identiteti falas është shprehur që në nisje të procesit nga LSI. Sigurisht nuk ka pasur një qëndrim koherent nga ana e PS-së, e cila herë pas here ka kërkuar të favorizoheshin grupe të veçanta sociale, që Saliu e shfrytëzoi pastaj për qëllime elektorale për të treguar çdo javë nga një vendim të ri për kartat gjë që e pengoi akoma më shumë procesin dhe demotivoi njerëzit për të aplikuar për karta”, tha Xhufi.