E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Të ulemi në tryezë për kartat

 

Aristir Lumezi

Kryetari socialist i jep ultimatum krye-ministrit Berisha të ulet në dialog. Rama përmes një konference për shtyp në selinë rozë i kërkoi Berishës të ulet në tryezë për të zgjidhur krizën e kartave, përndryshe sipas tij, PS do të ngrihet në protesta në të gjithë vendin. “Ne kemi zgjidhje nëse qeveria do vërtet të bëjë zgjedhje. Ne e dimë si zgjidhet kjo krizë paaftësie e papërgjegjshmërie, nëse Sali Berisha nuk ka qëllimin e mbrapshtë të manipulimit të zgjedhjeve. Ne jemi gati të ulemi për ta zgjidhur këtë nyje, që rrezikon të mbysë zgjedhjet, por jemi po ashtu gati të ngrihemi në të gjithë Shqipërinë nëse ata që e sollën procesin deri në këtë pikë të hallit duan ta mbajnë pushtetin pa zgjedhje të lira e të ndershme të standarteve euroatlantike”, tha dje Rama para gazetarëve. Një ditë pas bojkotit të parlamentit nga ana e deputetëve socialistë, Rama sqaroi shqiptarët se nuk kishim të bënim me një bojkot të vazhdueshëm të kuvendit, dhe i kërkoi maxhorancës dhe kryeministrit të dëgjojë kambanat që bien dhe rrezikun e dështimit të zgjedhjeve. “Dje opozita jonë doli nga Kuvendi jo për ta bojkotuar atë, po për të rritur nivelin e shqetësimit publik për dështimin që kërcënon zgjedhjet ngaqë kryeministri vazhdon t’u mohojë të drejtën e votës qindra-mijëra qytetarëve, duke bërë shurdhin ndaj kambanës së alarmit tonë për pasojat katastrofike të taksës së votës”, tha Rama. Kreu socialist tha dje se kriza ekonomike, që ka prekur vendin e bën akoma më të pamundur blerjen e kartave të identitetit dhe i kërkoi Kryeministrit Berisha të vlerësojë këtë situatë. “Unë e siguroj sot Sali Berishën se as kriza ekonomike, që po hyn përditë e më thellë në ekonominë reale të familjeve e të sipërmarrjeve shqiptare nuk mund të menaxhohet, duke bërë sikur s’ka problem dhe as kriza politike, që po afrohet përditë e më shumë bashkë me dështimin e procesit të pajisjes së zgjedhësve me karta identiteti, nuk mund të shmanget duke bërë sikur s’ka problem”, tha Rama. Sipas tij: “Kriza ekonomike është mes nesh, në çdo familje e sipërmarrje shqiptare. Kriza politike duhet shmangur prej nesh, me angazhimin e të dy palëve dhe mospërjashtimin e asnjë qytetari shqiptar nga procesi zgjedhor. Do apo s’do qeveria, në këtë vend janë qindra-mijëra familjet, që nuk e përballojnë dot taksën e votës dhe askush nuk mund të mbetet pa votuar, sepse nuk paguan dot për kartën e tij të identitetit”.
Rama tha se edhe shkarkimi i drejtorit të doganave është tregues i krizës ekonomike që ka prekur vendin, ndërsa Berisha ende e mohon atë. “Dje u shkarkua drejtori i doganave për rënien e të ardhurave nga doganat, por në fakt rënia e frikshme ka ardhur si pasojë e krizës ekonomike. Të cilën kryeministri vazhdon ta mohojë, duke e qeverisur Shqipërinë si pronar i një firme piramidale dhe duke bërë shurdhin ndaj kambanës së alarmit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Njësoj si në vitin famëkeq 1996”, tha Rama. Kreu socialist tha se pajisja e qytetarëve me karta identiteti është përgjegjësi e kryeministrit dhe e qeverisë që ai drejton. “Apeli im për kryeministrin është të dëgjojë kambanat e alarmit që bien për të, sepse mbi të është barra e përgjegjësisë për të garantuar zgjedhjet duke garantuar votën e çdo qytetari e qytetareje të këtij vendi dhe mbi të do të bjerë e gjithë përgjegjësia historike për një dështim të zgjedhjeve që askush nuk e dëshiron”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›