E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: LRI, faktor i rëndësishëm në fitoren e mazhorancës më 8 maj

04-08-2011 / Gazeta 55

Lëvizja Rinore për Integrim, mbledh Këshillin Drejtues

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi sot se fuqizimi i Lëvizjes Rinore për Integrim do të thotë fuqizim dhe rivitalizim i LSI-në në mënyrë të përhershme. Gjatë mbledhjes së Komitetit Drejtues të LRI-së, Meta u ndal në procesin e riorganizimit të LSI-së, por veçanërisht të LRI-së në kryeqytet, i cili sipas tij, është modeli më i mirë për tu shpërndarë në të gjithë vendin. Duke falënderuar përfaqësuesit, anëtarët dhe simpatizantët e këtij forumi për kontributin e dhënë, Meta deklaroi se LRI është një nga faktorët e fitores së zgjedhjeve të majit, falë kontributit të mijëra anëtarëve të saj.
“3 anëtarë nga 5 të zgjedhur në këshillin e Bashkisë së Tiranës i takojnë LRI-së. Mendoj që kjo është në një raport shumë të drejtë me kontributin që kanë dhënë të gjithë për zgjedhjet e 8 majit, por në zgjedhjet e tjera ky përfaqësim do të jetë edhe më i madh”- nënvizoi ai.
Sipas tij, organizimi i LSI-së dhe i forumit të saj rinor, është një moment reflektimi për të ecur më të vendosur dhe më të sigurt dhe për të arritur suksese të tjera.
“LSI-ja do të dalë akoma më e fuqishme dhe më solide për të përfaqësuar shpresat e të rinjve shqiptarë që kanë sfida të panumërta. 3 këshilltarët tanë në bashkinë e Tiranës do të japin modelin më të mirë sesi mund tu ofrohet një prespektivë më konkrete të rinjve shqiptarë, sidomos në drejtim të punësimit”- theksoi Meta.
Gjithashtu, kreu i LSI-së e konsideroi të rëndësishëm forcimin e këtij forumi rinor që në thelb ka integrimin si filozofi.
“Forcim i LRI-së do të thotë forcim i LSI-së dhe kjo e fundit do të thotë fuqizim i stabilitetit politik në vend, përshpejtim i proceseve integruese dhe një politikë më europiane, e cila nuk ka në thelbin e saj konfliktin si një mënyrë për të mbijetuar politikisht, por që ka ndërtimin dhe integrimin si filozofi”- deklaroi ai.
Në përfundim, kreu i LSI-së u shpreh i sigurtë se në të ardhmen, LRI do të ketë një rol tepër përcaktues në të gjitha zhvillimet politike në vend dhe do të jetë organizata më e preferuar e gjithë të rinjve shqiptarë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›