Meta: LSI alternativa më e mirë më 28 qershor

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka zhvilluar një takim me të rinjtë në Pallatin e Kulturës "Margarita Tutulani", në Berat. Meta ka premtuar se me 28 qershor shqiptarët do të votojnë për alternativën më të mirë, që sigurisht sipas Metës vjen nga LSI-ja. "Besoj shumë se LSI-ja me të gjithë ato personalitete të shquara që janë bashkuar me alternativën tonë dhe në veçanti besoj shumë tek kjo energji e jashtëzakonshme e rinisë së Beratit dhe e rinisë në të gjithë Shqipërinë, që ne në 28 Qershor të jemi pikërisht alternativa ku do të mbështeten shumica e shqiptarëve për t'i dhënë Shqipërisë demokracinë e kërkuar, për ti dhënë shqiptarëve lirinë dhe dinjitetin që ata kërkojnë dhe për të dënuar njëherë e mirë regjimin e monopoleve që nuk ka asnjë lidhje me demokracinë dhe për të luftuar me program varfërinë e shqiptarëve"-theksoi Meta. Kreu i LSI-së garantoi se, po vjen ora për të vendosur demokracinë dhe lirinë e munguar në këtë vend, po vjen ora e një alternative gjithëpërfshirëse dhe që i jep shpresë gjithë shqiptarëve, dhe kjo sipas Metës, është Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Lëvizja Rinore për Integrim.